Lidhje

Shqipëria kundërshton vendimin e Beogradit për zgjedhje vendore në veriun e Kosovës

  • Armand Mero

Ministria e Jashtme e Shqipërisë kundërshtoi sot vendimin e autoritetve të Beogradit për të shtrirë zhvillimin e zgjedhjeve vendore edhe në komunat serbe në veri të Kosovës duke e cilësuar si një hap që cënon integritetin e një vendi sovran.

Ministria e jashtme shqiptare, përmes një deklarate, vlerëson se një vendim i tillë është i paligjshëm dhe i papranueshëm dhe se përpjekjet serbe për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës janë në kundërshtim të plotë me frymën dhe përmbajtjen e deritanishme të bisedimeve mes dy vendeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ku Serbia kërkon të integrohet.

Sipas Tiranës, këto zgjedhje nuk do të kenë asnjë efekt juridik dhe personat e zgjedhur nuk do të kenë autoritet ligjor.

I vetmi efekt që këto zgjedhje sjellin – nënvizon deklarata - është forcimi i strukturave paralele kriminale serbe në veri të Kosovës, çmontimi i të cilave është detyrim i Serbisë. Këto zgjedhje – thuhet më tej – cënojnë gjithashtu perspektivën e integrimit të plotë të komuniteteve etnike në institucionet dhe shoqërinë e Republikës së Kosovës”.

Sipas ministrisë së jashtme të Shqipërisë “fryma evropiane për të cilën ka nevojë Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni, konsiston në zgjidhjen e problemeve në Veri të Kosovës, duke zbatuar plotësisht paketën Ahtisari”.

XS
SM
MD
LG