Lidhje

Fushata e policisë shqiptare kundër kultivimit të kanabisit


Autoritetet në Shqipëri po vazhdojnë fushatën dy vjeçare kundër kultivimit të kanabisit. Gjatë kësaj periudhe, kultivuesit janë zhvendosur drejt zonave të izoluara malore, ndërsa sipas qeverisë operacionet e deritanishme të policisë shqiptare u kanë shkaktuar miliarda euro humbje bandave kriminale.

Policia në Shqipëri është angazhuar në një fushatë mbarëkombëtare për të eliminuar kultivimin e kanabisit, për prodhimin e të cilit është konsideruar si vend burimi kryesor për Evropën.

Gjatë tre viteve të fundit, policia ka shkatërruar mijëra bimë kanabis dhe ka sekuestruar tonë marihuane të përpunuar, në bashkëpunim me vende të tjera fqinje.

“Gjatë këtij viti janë evidentuar 1508 vepra penale, prej të cilave janë zbuluar 211, me 336 autorë. Janë shkatërruar rreth 1 milionë e 700 mijë bimë narkotike cannabis sativa. Po të bëjmë një krahasim me vitin e kaluar kemi një rritje të evidentimit të bimëve narkotike, pasi vitin e kaluar për të njëjtën periudhë janë rreth 854 vepra penale dhe janë shkatërruar rreth 600 mijë bimë,” thotë Altin Qato, Drejtor i Përgjithshëm për Sigurinë Publike.

Shqipëria është shndërruar në një vend që prodhon sasi të mëdha kanabisi. Shqipëria vazhdon të radhitet ndër vendet me popullsitë më të varfëra në Evropë dhe për disa shqiptarë mbjellja e kanabisit konsiderohet si një burim jetese, gjë që shfrytëzohet nga kartelet vendase dhe ndërkombëtare të drogës.

Para dy vjetësh, policia hyri me autoblinda në Lazarat dhe u prit më të shtëna armësh nga kultivuesit e kanabisit. Gjatë këtij viti, kultivuesit u janë përshtatur rrethanave të reja.

“Dua të theksoj që kultivuesit e kësaj bime narkotike shfrytëzojnë zona shumë të thella malore, zona ku është e pamundur vajtja me mjete transporti dhe toka pa pronarë, që ja vështirësojnë punën policisë,” thotë zoti Qato.

Pasi janë zhvendosur gradualisht drejt zonave të izoluara malore, aty kultivuesit kanë krijuar edhe pika vrojtimi.

Qeveria thotë se operacionet e policisë kundër kultivimit të drogës u kanë shkaktuar humbje prej miliarda eurosh bandave kriminale.

XS
SM
MD
LG