Lidhje

Sot, komiteti i përbashkët parlamentar i Stabilizim Asocimit Shqipëri-BE

  • Armand Mero
  • Tiranë

Sot, komiteti i përbashkët parlamentar i Stabilizim Asocimit Shqipëri-BE

Sot, komiteti i përbashkët parlamentar i Stabilizim Asocimit Shqipëri-BE

Përfaqësues të të dy krahëve të politikës shqiptare do të ulen sot me parlamentarët europian në takimin e dytë të komitetit të përbashkët të Stabilizim Asocimit.

Delegacioni i europarlamentarëve kryesohet nga Eduard Kukan, ish minister i jashtëm i Sllovakisë, njohës i mirë i Ballkanit, anëtar i delegacionit të parlamentit europian për marrëdhëniet me vendet e ballkanit Perëndimor dhe anëtar i komisionit të jashtëm të parlamentit europian.

Eurodeputeti Kukan ka qenë i angazhuar edhe në procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe pjestar në bisedimet e zhvilluara me ndermjetesine europiane mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës Edi Rama në Strasburg, majin e kaluar, per zgjidhjen e ngercit lidhur me hetimin e zgjedhjeve te qershorit 2009.

Takimi i sotëm ka përfshire në rendin e punës ndër pikat e para situatën politike dhe reformën elektorale. Edhe në takimin e parë të këtij komiteti të mbajtur në maj, kjo temë krijoi debate të forta jo vetëm mes përfaqësuesve shqiptarë por edhe europarlamentarëve të cilët përgjithësisht mbronin përfaqësuesit e krahut të tyre politik.

Situata e krijuar bëri në atë kohë që të dështonte në minutat e fundit edhe miratimi i një deklarate të përbashkët në përfundim të takimit.

Që nga maji i atehershëm situata politike është thuajse e njejtë. Konflikti për çështjen e hetimeve të zgjedhjeve është ende i hapur, madje marrëdhëniet mes palëve janë acaruar edhe më tej për shkak të disa përplasjeve në parlament.

Në këtë kuptim, edhe takimi i sotëm rrezikon të jetë një fotokopje e atij të majit, me të vetmin ndryshim që europarlamentarët mund të kërkojnë shpjegime se përse nuk është bërë asgjë pas miratimit të rezolutës nga ana e parlamentit europian ku kërkohet ngritja e komisionit hetimor për zgjedhjet dhe hapja rrugë reformës elektorale.

Por edhe pikat e tjera të rendit të ditës së takimit nuk është se premtojnë ndonjë situatë me të qetë.

Ndër to janë edhe diskutimet për përmirësimin e funksionimit të gjyqësorit dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri, një cështje për të cilën ka debate të vazhdueshme mes palëve politike. Po ashtu edhe pika që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, mund të jetë një tjetër moment problematik.

Dy ditë më parë përfaqësuesit e vendeve të bashkimit europian shprehën shqetësim për ndikimin që ngërci politik ka në funksionimin e institucionit të Avokatit të Popullit. Për shkak se Avokati i popullit zgjidhet me shumicë të cilësuar, posti ka disa muaj që ka mbetur vakant. Në deklaratën e lëshuar në Tiranë u bëhet thirrje të gjitha partive politike të procedojnë në mënyrë urgjente me emërimin e Avokatit të ri të Popullit.

Ngërçi politik nuk duhet të pengojë miratimin nga ana e Parlamentit të reformave dhe masave që janë në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. Përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian u bën thirrje gjithashtu autoriteteve shqiptare të marrin masat e nevojshme për të garantuar vënien në zbatim siç duhet të ligjit kundër diskriminimit të miratuar nga Parlamenti në shkurt të vitit 2010, përfshirë këtu edhe mbështetjen me burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Dje kryetarja e parlamentit jozefina Topalli tha se shumica është e gatshme t’ja lërë opozitën përzgjedhjen e Avokatit të ri të popullit:

“Pasi jam konsultuar me kryetarin e mazhorancës, kam marrë një ofertë të re nga zoti Berisha, për t’ia përcjellë Partisë Socialiste dhe opozitës.Në këtë rast bëhet fjalë për Avokatin e Popullit dhe mazhoranca me ofertën e re që i bën Partisë Socialiste, i jep opozitës të drejtën që të ketë një ndër organet kushtetuese më të rëndësishme, Avokatin e Popullit”.- tha ajo

Zonja Topalli tha se këtë ofertë ja kishte bërë të ditur kryetarit të grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci, me të vetmin kusht që kandidatura të mos ketë marrë pjesë në gjyqe politike gjatë periudhës komuniste dhe të mos ishte përfshirë në raste të shkeljes të të drejtave të Njeriut.

Por socialistët e hodhën poshte këtë propozim përmes nënkryetarit të grupit Saimir Tahiri:

“Oferta e znj. Topalli në fakt është njëkohësisht edhe shenjë e dëshpërimit të pushtetit të Sali Berishës për të ndaluar me çdo kusht transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Pazari i pushteteve nuk është ofertë për Partinë Socialiste. Partia Socialiste ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë në mënyrë konstante dhe të qëndrueshme, transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, si mënyra më e mirë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në të ardhmen”. - tha ai

Takimi i sotëm i komitetit të përbashkët parlamentar të Stabilizim Asocimit zhvillohet vetëm pak ditë përpara se Bashkimi europian të vendosë të hënë e ardhshme për liberalizimin e vizave për qyetarët shqiptarë, dhe një ditë më pas, Komsioni europin të shpreh opinionin mbi kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat.

XS
SM
MD
LG