Lidhje

Shqipëri: Mosmarrëveshje rreth lejeve të ndërtimit para zgjedhjeve vendore

  • Raimond Kola

Shqipëri: Mosmarrëveshje rreth lejeve të ndërtimit para zgjedhjeve vendore

Shqipëri: Mosmarrëveshje rreth lejeve të ndërtimit para zgjedhjeve vendore

Në nivelet e qeverisjes vendore po vijojnë konfliktet politike të cilat reflektojnë sipas analistëve klimën e pritshme të zgjedhjeve për bashkitë dhe komunat. Pas mosmarrëveshjeve për miratimin e buxheteve të vitit 2001 ku në mjaft komuna dhe bashki ende ky proces nuk është finalizuar nga këshillat bashkiakë, një tjetër konflikt përfshin tani strukturën që miraton lejet e ndërtimit.

Këshillat e Rregullimit të Territorit të disa bashkive në rrethet jugore të Shqipërisë kanë njohur përplasje. Në Korçë këto përplasje kanë bllokuar planin e rregullimit të qendss së qytetit në punime e sipër duke krijuar probleme për mbarëvajtjen e jetës së qytetarëve.

Anëtarët e djathtë të këtij këshilli kanë bojkotuar mbledhjen e fundit me pretendimin se bashkia ishte përgatitur të miratonte shkelje ligjore për planin rregullues të qendrës së qytetit të Korçës.

Nga ana tjetër kryetari i bashkisë, Niko Peleshi, ka akuzuar anëtarët e djathtë të Këshillit, se po vonojnë miratimin e planit rregullues të qendrës së qytetit dhe ndërtimet në qytetin e Korçës duke sjellë problem dhe për biznesin e ndërtimit.

Afrimi i fushatës elektorale për zgjedhjet vendore pritet të rrisë tonet politike dhe rrjedhimisht edhe vështirësinë e vendim-marrjeve në këto këshilla. Atje ku bashkitë drejtohen nga të djathtët opozita e majtë ka shprehur shqetësimin se lejet e ndërtimit mund të përdoren edhe si favore për fushatë, ndërsa atje ku bashkitë drejtohen nga të majtë i njëjti kontestim vjen nga e djathta.

Praktikat e viteve të shkuara kanë dëshmuar se në prag të zgjedhjeve drejtuesit lokalë kishin shtuar lëshimet e dhjetëra lejeve duke u sjellë probleme serioze politikave të planifikimit hapësinor të qyteteve. Nëse këto praktika do të përdoren edhe këtë vit elektoral qytetet do të ndiejnë gjithnjë e më pak frymëmarrje, vërejnë analistët e çështjeve lokale.

XS
SM
MD
LG