Lidhje

Zhvillohet manifestimi homazh i opozitës në Shqipëri

  • Armand Mero
  • Tiranë

Zhvillohet manifestimi homazh i opozitës në Shqipëri

Zhvillohet manifestimi homazh i opozitës në Shqipëri

Në Tiranë të premten pasdite u zhvillua qetësisht dhe pa incidente manifestimi i opozitës në kujtim të tre viktimave që mbetën të vrarë javën e shkuar gjatë përleshjeve të dhunshme përpara selisë së qeverisë. Një numër shumë i madh njerëzish kanë marrë pjesë në atë që opozita e quajti më tepër si një homazh. Megjithatë tensioni politik mbetet i lartë. Sot kryeministri Sali Berisha kritikoi edhe kreun e shtetit Bamir Topi, lidhur me deklaraten qe ai kishte bere te premten e kaluar mbi protesten.

Pak pas ores 14, ashtu si ishte paralajmëruar nga përfaqësuesit e opozitës, një numër i madh njerëzish ishin mbledhur ne qendër të Tiranës, ndërsa nga selia e Partisë Socialiste, kryetari i saj Edi Rama, i shoqëruar nga eksponentë të tjerë të opozitës, por edhe familjarë të viktimave të 21 janarit, u nisën drejt bulevardit qendror të kryeqytetit, për t’u vazhduar më pas drejt vendit ku ata mbetën të vrarë. Ka qenë një parakalim në heshtje përgjatë të gjithë rrugës, e cila bllokohej pranë kryeministrisë ku ishin vendosur 3 foto të mëdha të viktimave të javës së kaluar, ku ishin shkruar fjala “Drejtësi” në shqip dhe anglisht.

Kryetari socialist Edi Rama, më pas, i shoqëruar nga familjarët e viktimave, është drejtuar drejt pikave ku janë qëlluar për vdekje 3 viktimat e incidenteve të javës së kaluar. Ashtu si ishte parashikuar, kryetari socialist, pasi u përshëndet me familjarët e viktimave u largua, ndërsa kortezhi vazhdoi deri pak pas ores 16. Me mijër lule dhe qirinj të ndezur janë vënë pranë fotove të personave që humbën jetën nga mijëra vetë që u mblodhën për homazhe. Policia ka qenë e pranishme me forca të shumta, të cilat kishin rrethuar ndërtesën e qeverisë.

Pak para fillimit të manifestimit, kryeministri Berisha kishte deklaruar se çdokujt do t’i garantohej protesta paqësore, por duke paralajmëruar se dhuna nuk do të tolerohet.

Klima politike vazhdon të jetë e tensionuar. Deklaratat si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita nuk premtojnë një fillim të qetë. Kryetari socialist deklaroi se opozita nuk do të tërhiqet nga protestat e saj paqësore. Sipas zotit Edi Rama, protesta e sotme i tregoi botës se ata 200 mijë shqiptarë, siç u shpreh ai, ishin mbledhur për të protestuar ndaj një regjimi fashist që vrau qytetarë. Shqipëria, tha zoti Rama, nuk mund të kthehet më në një vend ku të sundojë frika dhe pamundësia për të ushtruar lirisht të drejtat e qytetarit. Ai u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të rikonsiderojnë marrëndhëniet me qeverinë Berisha.

Edhe kryeministri Sali Berisha ka vazhduar të shprehet me tone të ashpra ndaj opozitës, e cila sipas tij ka pasur një plan të mirorganizuar për të realizuar një grusht shteti. Ai përsëriti edhe akuzat ndaj Prokurores së Përgjithshme, e cila sipas tij 2 ditë më parët ka thyer edhe një marrëveshje me urdhër-ndalimet për drejtuesit e Gardës, sipas të cilëve këta drejtues të Gardës duhet të paraqiteshin në Prokurori për t’u marrë në pyetje, por kur janë paraqitur është tentuar arrestimi i tyre.

Kryeministri Berisha ka pasur në shenjestër të kritikave edhe presidentin e vendit, Bamir Topi, duke e cilësuar si i vetmi njeri në Shqipëri që nuk ka mundur të shohë dhunën që është zhvilluar javën e kaluar, i cili në deklaratën e tij të pare nuk përmend asnjë fjalë për dhunën ndaj institucioneve të ushtruar gjatë javës së shkuar.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG