Lidhje

Shqipëri, një traget i linjës Durrës-Bari përplaset me një anije tregtare


Shqipëri, një traget i linjës Durrës-Bari përplaset me një anije tregtare
Shqipëri, një traget i linjës Durrës-Bari përplaset me një anije tregtare

Në Shqipëri një traget i linjës Durrës Bari u përplas me një anije tregtare në orët e natës së mbrëmshme rreth 20 milje larg brigjeve të Durrësit. Si pasojë anija tregtare me ekuipazh turk, e cila ishte drejtuar për në Mal të zi, u fundos brenda pak minutash. Vetëm dy persona, komandanti dhe oficeri i parë i anijes, arritën të shpëtonin. Tetë të tjerët janë shpallur të humbur. Kërkimet me mjete të shumta lundruese, por edhe me helikopterë, nuk kanë bërë të mundur gjetjen e asnjë prej trupave.

Trageti i linjës Durrës Bari, ishte afër 20 milje larg brigjeve shqiptare kur është përplasur me një anije tregtare me flamur maltez dhe ekuipazh turk. Një përplasje e fortë e cila ka rezultuar fatale për anijen tregtare e cila sipas dëshmive të ndryshme, është fundosur brenda pak minutash. Dy anëtarë të ekuipazhit, komandanti dhe oficeri i parë kanë mundur të shpëtojnë. Përsa i përket fatit të të tjerëve gjatë ditës njoftimet kanë qenë kontradiktore. Për orë të tëra u njoftua se një trup i vdekur i një prej marinarëve ishte gjetur. Por më pas nga mesdita u tha se gjithshka kish qenë një ngatërresë e lindur nga thëniet e komandantit të anijes. Në orët e para të mëngjesit, nga trageti i cili ndaloi udhëtimin pas përplasjes, u njoftua se ishin parë dy trupa, që më pas kishin humbur nga sytë, por edhe ky variant ra. Aktualisht të tetë anëtarët e tjetrë të ekuipazhit konsiderohen të humbur.

Një operacion i gjerë kërkimi nisi menjëherë pas ngjarjes së rëndë. Në det u angazhuan anije dhe motovedeta të Rojes Bregdetare shqiptare, të policisë së kufirit si dhe një mjet i Guardia di Finanza italiane, një njësi e së cilës ndodhet prej disa vitesh në Durrës dhe në Vlorë në mbështetje të autoriteteve shqiptare për parandalimin e trafiqeve në kanalin e Otrantos. Në mëngjes kërkimet nisën dhe nga ajri, ku angazhuan një helikopter. Pak pas mesditës kërkimet u ndërprenë, pasi sipas autoriteteve nuk ka më shpresë për gjetjen e trupave. Pjesa dërrmuese e anetarve te ekuipazhit kanë qenë në brendësi të anijes e mund të kenë mbetur të bllokuar.

Ende nuk është plotësisht e qartë dinamika e aksidentit të rëndë. Gjithshka duket se do të sqarohet vetëm nga komunikimet që mund të ketë patur në ato momente mes dy mjeteve. Sipas autoriteteve shqiptare, hetimet do të duhet të zhvillohen nga vendet ku janë regjistruar mjetet lundruese, anija tregtare në Malte ndërsa trageti në Turqi, duke qenë se përplasja ka ndodhur në ujërat ndërkombëtare. Pas mesditës, trageti i cili kishte në bord mbi 190 pasagjerë, u rinis drejt portit të Barit në Itali.

XS
SM
MD
LG