Lidhje

Opozita i kërkon qeverisë të mbikëqyrë privatizimet


Në Shqipëri, opozita socialiste i kërkoi sot qeverisë që të mbikëqyrë kompanitë që kanë privatizuar ish-ndërmarrjet shtetërore të energjisë. Deputetët e Partisë Socialiste shprehën shqetësimin se këto kompani nuk po rinovojnë teknologjitë dhe po shkarkojnë tek konsumatorët problemet e tyre. Por ministri i financave tha se investimet e huaja në shkallë kombëtare po ecin në Shqipëri më mirë se çdo vend tjetër i rajonit.

Deputetët e Partisë Socialiste i bënë thirrje qeverisë që të forcojë kontrollin mbi kompanitë që kanë privatizuar ndërmarrje shtetërore me pozicion monopol në tregjet e energjisë. Ata pohuan se këto kompani shkarkojnë mbi qytetarët problemet e tyre duke u faturuar atyre shuma më të larta, për të mbuluar deficitet e tyre. Deputeti socialist Arben Ahmetaj, tha se qeveria duhet t’u kërkojë këtyre kompanive që të kryejnë investimet e prapambetura ne teknologji që i kanë premtuar dhe që sipas tyre janë realizuar vetëm në 20 për qind, ndërsa humbjet e energjisë në rrjet janë rritur ndjeshëm.

Por ministri i ekonomisë, Ridvan Bode, tha se investimet vendase dhe të huaja po kryhen hap pas hapi sipas projektimeve dhe madje investimet në Shqipëri janë më të lartat në rajon gjatë vitit 2011, sipas shifrave të Bashkimit Europian. Qeveria dhe opozita ndajnë pikëpamje të kundërta për mënyrat e drejtimit të ekonomisë, madje shpesh kanë vënë në dyshim edhe privatizimeve të njëra tjetrës. Ato kanë këndvështrime të ndryshme edhe për mënyrën e përballjes së krizës ekonomike botërore dhe të eurozonës, edhe për shkallën e ndikimit që ato patën në jetën e Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG