Lidhje

Protesta e opozitës, 5 të arrestuar


Aktet e dhunës, procedohen penalisht sekretari organizativ i PD-së Enno Bozdo dhe Besim Ndregjoni i të përndjekurve politikë. Basha: Keqardhje për përdorimin e gurëve. Bunkeri I paligjshëm. Mirënjohje atyre që i vunë flakën

Në Shqipëri policia njoftoi sot arrestimin e pesë personave si dhe nisjen e procedimit penal për sekretarin organizativ të Partisë demokratike Enno Bozdo dhe drejtuesin e shoqatës së të përndjekurve politikë Besim Ndregjoni, lidhur me incidentet e dhunshme gjatë protestës së djeshme të opozitës.

5 të arrestuar pas protestës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:27 0:00

Sipas policisë, Zoti Bozdo konsiderohet përgjegjës, pasi sipas saj manifestimi i opozitës devijoi nga plani dhe itinerari i përcaktuar, ndërsa u mbyll me veprimet e dhunshme për shkatërrimin e një bunkeri, pranë ministrisë së Brendshme, pjesë e një projekti për hapjen ndaj publikut të tuneleve të nëndhenshme të ndërtuara nga regjimi komunist. Pikërisht për sulmin ndaj bunkerit është proceduar zoti Ndregjoni, i cili dje në mbyllje të protestës para godinës së qeverisë, i bëri thirrje nga podiumi pjesmarrësve që të drejtoheshin për të shkatërruar bunkerin. Ai akuzohet , për veprën penale “Thirrje publike për kryerjen e veprimeve te dhunshme”.

Pesë personat e tjerë të arrestuar, pjesmarrës në protestë, janë prangosur në flagrancë, dhe akuzohen për “Shkatërrim prone”, “Mosbindje ndaj urdhërit të policisë rendit” dhe “Prishje e qetësise publike“, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Aktet e djeshme të dhunës u dënuan nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe delegacioni i Bashkimit Europian. Ato i bënë thirrje Partisë Demokratike që t’i dënojnë këto akte. I pyetur sot nga gazetarët lidhur me këto deklarata, kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha tha se “PD ka qenë dhe do të jetë e distancuar nga aktet e dhunës sepse ka qenë është dhe do të jetë gjithnjë e distancuar nga aktet e dhunës. Eshtë falë PD-së që dje ai vërshim i madh popullor ajo zemëratë që mund të merrte përpara jo një po 10 kryeministri u përmbajt”, tha zoti Basha duke shprehur “keqardhje për përdorimin e gurëve që nuk ka qenë pjesë e skenarit tonë”, ndërsa saktësoi se megjithatë “asnjë fije floku dhe asnjë kapele polici nuk u prek”.

Lidhur me shkatërrimin e bunkerit zoti Basha nuk bëri hapa pas. “Bunkeri është i paligjshëm dhe ilegjitim, se është ndërtuar në kundërshtim me ligjin urban të Shqipërisë dhe në kundërshtim me planin urban të Tiranës. Eshtë ilegjitim sepse është një provokacion i rëndë ndaj gjithë shqiptarëve, ndaj unë shpreh mirënjohjen më të thellë dhe përkulem me nderimin më të madh ndaj heronjve që e kallën dje në flakë”, deklaroi kryetari i opozitës duke nënvizuar se protestat nuk do të ndalen dhe se ajo e djeshme është vetëm fillimi.

XS
SM
MD
LG