Lidhje

Shqipëri: OSBE dhe mediat reagojnë kundër kontrollit të telefonave të gazetarëve


Shqipëri: OSBE dhe mediat reagojnë kundër kontrollit të telefonave të gazetarëve
Shqipëri: OSBE dhe mediat reagojnë kundër kontrollit të telefonave të gazetarëve

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë nxiti institucionet shqiptare që të bashkëpunojnë për të hetuar plotësisht dhe sa më shpejt ngjarjet e dhunshme të Tiranës në 21 janar. OSBE publikoi në mbrëmje një deklaratë, me të cilën u bën thirrje institucioneve që gjatë këtyre hetimeve të veprojnë në përputhje me shtetin e së drejtës dhe të respektojnë pavarësinë dhe lirinë e medias.

Deklarata citon ambasadorin Eugen Wollfarth, të ketë thënë se “media luan një rol kyç në demokraci dhe në shoqërinë e lirë” dhe se ai “nxiste të gjitha institucionet të mbështesin median në detyrën e saj të lartë për të vënë në dispozicion të publikut të dhëna faktike. Kjo duhet të bëhet në përputhje me ligjin, në frymën e lirisë dhe të demokracisë”.

Sipas drejtuesit të OSBE-së, “gazetarët duhet të kenë besimin se kjo është baza e punës së tyre profesionale, ashtu sikundër edhe shprehja e opinioneve, si kontribut për formimin e opinionit publik”.

Komentet e përfaqësuesve të OSBE-së erdhën menjëherë pasi u njoftua se komisioni hetimor parlamentar për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit kërkoi që listës së politikanëve dhe zyrtarëve më të lartë shtetërorë për kontroll të telefonatave, t’u shtohen edhe katër gazetarë.

Midis gazetarëve gjendet edhe emri i drejtuesit të programit investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, Filip Çakuli, i cili transmetoi në fillim të janarit video-kasetën e regjistruar nga ish ministri i ekonomisë Dritan Prifti ku ai flet për biznes me ish zëvendës-kryeministrin Ilir Meta, tashmë i dorëhequr.

Televizioni Top Channel deklaroi në mbrëmje se “përfshirja e dy gazetarëve të njohur të saj, Filip Çakuli dhe Sokol Balla në hetimin e tabulatëve telefonikë është e motivuar politikisht, dhe se ky veprim cënon integritetin e tyre profesional dhe fizik”. Top Channel publikoi një deklaratë, ku thekson se vendimin e komisionit hetimor e sheh si një “kërcënim ndaj integritetit profesional të tyre dhe të vetë televizionit më të madh dhe të rëndësishëm në vend”.

Televizioni Top Channel thotë se “ka më shumë se një muaj që së bashku me gazetarët e vet është vënë në qendër të sulmeve politike”. Por së fundi janë krijuar rrethana të reja, kur “Top Channel vëren me shqetësim se nga deklaratat me sfond politik, prej të cilave ka qëndruar larg, po kalohet në veprime konkrete nga përfaqësues dhe titullarë të mazhorancës qeverisëse”.

Top Channel deklaroi se do të vazhdojë me vendosmëri misionin e tij të informimit dhe transparencës së publikut, pavarësisht sulmeve të fundit politike, të cilat kërkojnë ta përfshijnë atë dhe gazetarët e Top Channel në një betejë politike, në të cilën nuk ka qenë dhe as do të jetë pjesëtar.

Regjistrimet e Top Channel-it dhe programit Fiks Fare e kanë vënë shpesh në vështirësi qeverinë e kryeministrit Berisha, siç ishte rasti i ish ministrit Ylli Pango. Ky i fundit u shkarkua brenda pak minutash nga detyra, madje ndërkohë që Fiks Fare po vazhdonte transmetimin e një kasete kompromentuese për të. Por tani Top Channel dhe Fiks Fare sollën dorëheqjen dhe hetimet për korrupsion ndaj numrit dy të koalicionit qeveritar, Ilir Meta, i cili është edhe pika kyçe e shumicës së brishtë PD-LSI.

XS
SM
MD
LG