Lidhje

Shqipëri, polemika e fyerje në parlament


Replika të ashpra mes kryeministrit Edi Rama dhe ish kryeministrit Sali Berisha. Pas debateve për kalendarin tre javor të parlamentit, opozita braktis sallën

Në Shqipëri vazhdon klima e tensionuar politike. Sot parlamenti sërish u përfshi në polemika të ashpra të cilat shkuan deri në fyerje personale mes kryeminisrit Edi Rama dhe ish kryeministrit Sali Berisha. Demokratët sërish braktisën punimet e seancës pasi sipas tyre propozimet e bëra nga opozita nuk u morrën parasysh.
Fyerje e tension në parlamentin shqiptar
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00

Ka kohë që në parlamentin shqiptar nuk zhvillohet një seancë normale, ku të mos mungojnë përplasjet mes shumicës dhe opozitës. Ndërsa prej disa javësh, opozita, sikundër edhe sot, nuk qëndron deri në fund të seancës dhe projektligjet në sallë kalojnë pa debatin e nevojshëm.

Pas polemikave për cështjet që lidheshin me kalendarin tre javor të punimeve të parlamentit, seanca e sotme kulmoi me një përplasje të fortë mes kryeministrit Edi Rama dhe ish kryeministrit Sali Berisha, një përplasje ku nuk munguan edhe fyerjet personale.

Në ndërhyrjen e tij zoti Berisha akuzoi ndër të tjera qeverinë se marrëveshja me Fondin monetar do të jetë me pasoja për qytetarët: “Shqiptarët pas një heshtje varri 6 mujore mësojnë sot nga mediat se në një marrëveshje të firmosur në fshehtësi të plotë më FMN-n do tu rriten dhe 10 taksa të tjera. Nuk ka lajm më tragjik. Me atë marrëveshje u ke bërë gjëmën qytetarëve shqiptarë”, deklaroi zoti Berisha duke ju drejtuar Kryeministrit.

Zoti Rama nga ana e tij i hodhi poshtë akuzat: “Kjo historia e marrëveshjes së fshehtë me FMN-n, për mos rritje rrogash e pensionesh, e për 10 taksa të tjera e ku di unë se cfarë, a e dini sec është? Eshtë si ajo thirrja për kataklizmën që do vinte nga taksa që rritëm për naftën. Ku e keni naftën që do ngrihej në qiell e që do bllokonte Shqipërinë? Ku e keni?”

Klima e acaruar politike rrezikon të vazhdojë gjatë. Cështje të tjera delikate mund t’i hedhin sërish benzinë zjarrit. Opozita këmbëngul se shumica po kërkon të vërë nën kontroll institucionet e pavarura. Një debat i ri është hapur lidhur me vlefshmërinë e mandatit si kryetare, të drejtueses së autoritetit të Medias audiovizive.

Prej një kohe të gjatë polemikat kanë përfshirë edhe shërbimin sekret. Shumica e cila e akuzon atë për mungesë bashkëpunimi, ka propozuar një komision hetimi. Kjo cështje ka përfshirë edhe presidentin e Republikës, i cili ka dalë në mbrojtje te drejtorit të shërbimeve sekrete, duke e rritur dozën e mosbesimit të lartë që shumica ka ndaj tij. Në fakt edhe marrëdhëniet mes kreut të të Shtetit dhe shumicës janë larg së qeni normale prej kohësh. Ndërsa një tjetër sfidë e afërt është edhe ajo e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën e lartë, e cila deri tani është përkthyer në një përplasje të vazhdueshme mes palëve.
XS
SM
MD
LG