Lidhje

Shqipëri, miratohen ligjet e kërkuara nga BE


Socialistët votojnë pa ndryshime tekstet e kundërshtuara më parë, të cilat do të hyjnë në fuqi pas formimit të parlamentit dhe qeverisë që do dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit

Në Tiranë, parlamenti shqiptar votoi sot me konsensusin e e të dy krahëve dy ligjet dhe reformën parlamentare të përcaktuara nga Brukseli si një kusht për të rekomanduar dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Socialistët të cilët për muaj të tërë refuzuan të jepnin mbështetjen e tyre duke kritikuar përmbajtjen e tyre, i votuan sot me të vetmin ndryshim se do të hyjnë në fuqi tetorin e ardhshëm, pasi të jetë formuar parlamenti dhe qeveria e re

Në një seancë pa debate të gjata po ku nuk munguan polemikat qoftë ato personale, qoftë ato me sfond elektoral, parlamenti i mbledhur në seancë të jashtëzakonshme votoi ndryshimet në ligjin për Gjykatën e lartë, ligjin për Nëpunësin civil dhe ndryshimet në rregulloren e parlamentit. Të treja ishin kërkuar nga Brukseli që tetorin e kaluar si një kusht për t’i rekomanduar vendeve anëtare dhënien e Statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Një kërkesë e mbetur pezull prej shumë vitesh për shkak të konflikteve të thella politike mes palëve.

Miratohen ligjet e kërkuara nga BE
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

Edhe të tre ligjet u zvarritën po për shkak të këtyre problemeve, por sot socialistët i votuan pa asnjë ndryshim, ndonëse cështja e qarkut të Fierit e ngritur si një cështje parimore nga ana e tyre, mori një zgjidhje formale vetëm për shkak të bashkimit me LSI-në. Po ashtu edhe rregullorja e parlamentit, e kundërshtuar për shkak të mungesës së hapësirave për kreun e opozitës, kaloi sic ishte e po ashtu dhe ligji për Nëpunësin civil i konsideruar si i mangët.

Të bindur se pas zgjedhjeve të 23 qershorit do të jenë në pushtet socialistët votuan pas kompromisit të propozuar nga kryetari LSI-së Ilir Meta, që ligjet të hynin në fuqi tetorin e ardhshëm. “Jemi sot këtu sepse ne do të donim, pas hyrjes në fuqi të këtij liji, në bazë të dispozitës tranzitore që kemi propozuar, ne të kemi një system gjyqësor shumë më të mirë se ky që kemi sot. Sespe jam I bindur se Shqipëria ka nevojë dramatike për të ndërtuar shtresën e mesme, për të ndërtuar një administratë publike e cila t’i shërbejë të gjithë shqiptarëve pavarësisht se cfarë bindjesh politike kanë ato. Së treti jemi këtu edhe për rregulloren e parlamentit sepse duam që parlamenti i ri të mos i ngjajë parlamentit të sotshëm”, deklaroi deputeti socialist Ditmir Bushati.

Kryeministri Berisha nuk la pa akuzuar socialistët se sipas tij me votimin e ligjeve ata dëshmuan se kishin bllokuar qëllimisht marrjen që më parë të statusit kandidat për vendin: “Ata të cilët shkelmuan, hodhën në kosh tre ligjet që kërkoheshin për marrjen e statusit, krijuan një pellg të zi me ujin e të cilit polajnë sot fytyrën. Ku e keni Fierin? A nuk jeni ngritur 30 herë duke thënë këtu Fieri, Fieri, Fieri, e bëtë njësoj si Dushku. Shkoni e kërkojini të falur qytetarëve të Fierit”.

Me votimin e sotëm Shqipëria ka shanse të mund të marrë dritën jeshile të Brukselit vjeshtën e ardhshme, ndonëse sic kujtoi ambasadori i delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë Ettore Sequi, duke ju referuar komisionerit për Zgjerimin Stefan Fuele “në raportin për vendet anëtare do të përfshihen edhe përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Ndërkohë që zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë një tjetër test i rëndësishëm.

Vendimi i parlamentit u përshëndet edhe nga ambasada amerikane e cila në një deklaratë shprehet se “nxit parlamentin dhe qeverinë e ardhshme t’i përkushtohen përmbushjes së përparësive të mbetura dhe reformave të tjera të nevojshme nëpërmjet konsensusit dhe bashkëpunimit me qëllim që të fitojnë një opinion pozitiv nga Bashkimi Europian”.
XS
SM
MD
LG