Lidhje

Patozi: Basha ishte paracaktuar të fitonte

  • Armand Mero

Në Shqipëri nënkryetari i partisë demokratike dhe kryetari i grupit të saj parlamentar në dy legjislature Astrit Patozi tha mbrëmë se gara për kryetarin e ri të partisë nuk ishte korrekte dhe se fituesi, zoti Lulzim Basha ishte paracaktuar. Duke folur në një intervistë në emisionin Top Story në Top Channel, zoti Patozi e quajti këtë një gabim të zotit Sali Berisha dhe foli për një ndryshim të rregullave gjatë garës, duke favorizuar zotin Basha. Zoti Patozi deklaroi se ai do të ruante pozicionin e deputetit dhe se nuk do të pranonte apo të konkurronte për asnjë pozicion drejtues në strukturat e partisë.

Pas akuzave të forta të kandidatit në garën për kryetar të partisë demokratike Sokol Olldashi pak ditë më parë, i cili foli për një proces të deformuar zgjedhjesh, një nga figurat qëndrore të kësaj force politike Astrit Patozi, u shpreh gjithashtu mbrëmë me tone kritike për mënyrën e zgjedhjes së zotit Lulzim Basha. Në intervistë me gazetarin Sokol Balla në emisionin Top Story, zoti Patozi vlerësoi se ajo kishte qenë një garë jo korrekte. “Unë nuk i përkas as asaj pjese që ka votuar 80 përqind për Lulzim Bashën dhe as pjesës tjetër që ka votuar 20 përqind për Sokol Olldashin. Arsyeja është fare e thjeshtë. Unë as nuk kam uruar fituesin dhe as nuk kam ngushëlluar humbësin, sepse unë thjesht nuk kam votuar. Dhe unë nuk kam shkuar të votoj me bindjen se vota ime nuk kishte asnjë vlerë. Gjesti im nuk ishte gjest force. Ishte dëshpërues. Unë bëra një gjest dëshpërimi për shkak se në partinë time, në PD, nuk po zhvillohej një garë korrekte dhe unë thjesht nuk doja që të merrja pjesë në një proces që nuk ishte ashtu sic ne na takonte”

Sipas zotit Patozi në Partinë demokratike pati një garë fiktive për të legjitimuar një vullnet të paracaktuar tha ai duke u shprehur se ky ishte një gabim i zotit Sali Berisha: “Fituesi ishte paracaktuar. Sigurisht që fituesi mund të paracaktohej apo mund të përzgjidhej dhe legjitimiteti i tij të mos cënohej. ne u vumë në kushtet e një gare të pabarabartë sepse ndodhi që shpenzuam energji të panevojshme për të krijuar një hendek mes demokratëve. Sigurisht mes demokratëve mund të krijohej një frakturë nëse në fillimin e garës u luajt me ndarjen e famshme oruelliane të Fermës së kafshëve ku të gjithë rivalët janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët dhe në finishin e garës u hoqën dorezat dhe njëri ishte i nënës dhe tjetri i njerkës, njëri ishte i Partisë Demokratike dhe tjetri s’dihej nga kishte ardhur. Në këto kushte sigurisht që gara u prish dhe ky ishte një gabim i rëndë për të cilin PD nuk kishte asnjë interes”.

Jo pa ironi, zoti Patozi thotë se kryetari i ri, pavarësisht problemeve me garën është legjitim pasi në cfarëdo lloj forme ai do të zgjidhej u shpreh zoti Patozi: “Kryetari i ri Lulzim Basha është tërësisht legjitim. Do ta shpjegoj dhe arsyen se pse. Jo për shkak të rezultatit të 22 korrikut. Vetë Lulzim Basha besoj në njohjen time është i vetëdijshëm që nuk ka me vete 80 përqind të demokratëve dhe që diferenca e tij me rivalin Sokol Olldashi nuk është 8-2, pavarësisht se ja bëri 8-2 në këtë garë. Vetë Basha duhet të jetë i vetëdijshëm që kjo nuk ishte garë korrekte. Besoj unë, por ai sigurisht e ka të vështirë ta thotë këtë në publik. Por ai është legjitim për një arsye sepse duke qenë i paracaktuar, duke qenë i përzgjedhur, ai do të fitonte ndaj cdo rivali sepse ishte parapëlqim i Sali Berishës dhe Berisha është një figurë shumë e vlerësuar dhe shumë e respektuar pavarësisht se ka dhënë dorëheqjen nga PD”.

Pavarësisht se e vlerëson si gabim mënyrën e zgjedhjes së kryearit të ri, zoti Patozi thekson se “Nuk është gabim që nuk riparohet”, duke ftuar “këdo që ka mundësi të vendosë një tullë në këtë ndërmarrje jo kaq të vështirë dhe jo kaq të pamundur, që ajo që ndodhi më 22 korrik, të harrohet sa më shpejt. PD duhet të harrojë 22 korrikun dhe 23 qershorin dhe të ecë përpara dhe kjo nuk është e pamundur”, u shpreh zoti Patozi i cili nuk do të konkurrojë më për poste drejtuese në partinë e tij.
Zoti Patozi u shpreh megjithatë se shpreson dhe beson se “Basha i ka të gjitha potencialet për të qenë një lider i mirë i PD. Ai këtë s’mund ta bëjë vetëm sepse nuk ka akoma autoritetin e fortë të zotit Berisha dhe aq më tepër në këtë garë nuk mori mandatin e fortë që duhet të merrte”, nënvizoi zoti Patozi sipas të cilit, “tani PD ka nevojë për një model tjetër, një model më kolegjial. Gjatë fushatës të dy kandidatët e kanë përmendur shpesh kolegjialitetin dhe ekipin. Dhe tani që është Basha kryetar duhet të shihet se sa është i zoti të implementojë atë që u premtoi demokratëve gjatë fushatës”, u shpreh zoti Patozi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG