Lidhje

Shqipëri: PD fton PS të bashkëpunojë për reformën zgjedhore


Shqipëri: PD fton PS të bashkëpunojë për reformën zgjedhore

Shqipëri: PD fton PS të bashkëpunojë për reformën zgjedhore

Partia Demokratike ftoi sot Partinë Socialiste të opozitës që të nisin bashkëpunimin për reformën zgjedhore. Kryeministri Sali Berisha tha se maxhoranca ishte e gatshme që t'i bashkohej një kërkese të opozitës për të marrë një mendim edhe nga Komisioni i Venecias. Opozita socialiste ka deklaruar se ka mbetur e zhgënjyer nga vendimet e Kolegjit Zgjedhor, dhe po studion mundësitë e ankesave në institucione te tjera.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ftoi sot kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, që të nisin bashkëpunimin për reformën zgjedhore dhe miratimin e një serie projekt-ligjesh me 3/5 e votave në parlament, për t’i hapur rrugën të ardhmes europiane të vendit. Zoti Berisha tha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se në kuadër të reformës zgjedhore, “maxhoranca është e gatshme t’i bashkohet një nisme të Partisë Socialiste për të kërkuar mendimet e Komisionit të Venecias dhe OSBE lidhur me procedurat e zgjedhjeve në Shqipëri”. Zoti Berisha tha se “vendimet e Kolegjit Zgjedhor pasuruan doktrinën demokratike te zgjedhjeve shqiptare”. Ai tha se “sistemi zgjedhor funksionoi, por natyrisht ka nevojë të përmirësohet më tej”.

Partia Socialiste nuk publikoi më vonë ndonjë deklaratë nga përfaqësuesit e saj, ndërsa qëndrimet e opozitës janë bërë të ditura më herët. Kryetari i kësaj partie Edi Rama dhe politikanë të tjerë nga grupi i deputetëve janë shprehur të zhgënjyer nga vendimet e Kolegjit Zgjedhor, i cili, sipas tyre, nuk bëri drejtësi në rastin e bashkisë së Tiranës, dhe se ata tani do të nisin një aksion të madh popullor për të protestuar. Ata janë shprehur se po studiojnë mundësinë e një procesi tjetër ankesash në Gjykatë Kushtetuese, prokurori, Komision të Venecias apo ndoshta edhe në Gjykatën e Strasburgut.

Të dyja palët po i lexojnë sipas interesave partiake rezultatet e zgjedhjeve vendore në shkallë vendi, ndërsa për bashkinë e kryeqytetit vazhduan një fushatë 2-mujore me ankesa dhe shpjegime në Kolegjin Zgjedhor. KQZ pritet të japë mandatet e këshilltarëve bashkiakë të Tiranës, por nëse procesi pengohet nga votat e komisionerëve të majtë, çështja përsëri mund të shkojë në Kolegj Zgjedhor, dhe kryetari i ri bashkisë së kryeqytetit, Lulëzim Basha, mund të paraqitet para këshillit të ri bashkiak pas dy javësh të tjera.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG