Lidhje

Shqipëri: PD vendos të nisë bisedimet për koalicion


Në Tiranë, Partia Demokratike vendosi të nisë bisedimet për krijimin e një koalicioni të djathtë dhe të qendrës për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Ndërsa Partia Socialiste e opozitës është duke nënshkruar një seri marrëveshjesh parazgjedhore për aleancën e majtë, që synon të vijë në pushtet pas 8 vjetësh në opozitë.

Në të gjithë vendi po zhvillohet qysh herët një fushatë zgjedhore e ethshme. Korrespondenti ynë, Ilirian Agolli, njofton nga Tirana…

Ende një muaj para nisjes së fushatës zgjedhore dhe dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit, dy partitë më të mëdha në Shqipëri nuk kanë mbyllur përfundimisht bisedimet me aleatët e tyre për krijimin e aleancave, që do të garojnë përballë njëra tjetrës. Partia Demokratike zhvilloi në mbrëmje një mbledhje të kryesisë, ku caktoi grupin negociator për bisedime me aleatët javën e ardhshme. Grupi negociator për formimin e koalicionit zgjedhor përbëhet nga kryetari i Partisë Demokratike dhe kryeministri Sali Berisha, nga sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode dhe nga juristi Oerd Bylykbashi.

Zoti Berisha tha se java e ardhshme përfshin bisedime të shumta me partitë që duan zhvillimin e vendit dhe integrimin në BE. Ai tha se PD po përpiqet të krijojë një koalicion të forcave të djathta dhe të qendrës, duke theksuar se ishte optimist që ky do të ishte një koalicion i madh me objektiva perëndimore, dhe jo si koalicioni i PS-së me 4 parti komuniste dhe një numër partish të vogla e të panjohura, që synon të bllokojë, si deri sot, integrimin europian të Shqipërisë.

Ndërkaq Partia Socialiste e opozitës po mbyll njëra pas tjetrës një seri marrëveshjesh me mbi 30 parti të ndryshme, ndonëse nuk ka nënshkruar një të tillë me LSI-në dhe dy partitë social-demokrate. Kryetari i PS, Edi Rama, tha në Berat se korrupsioni i administratës është një nga shtysat kryesore që e bëjnë të domosdoshëm rotacionin politik. Zoti Rama tha se PS ka një program të qartë zhvillimi, i cili e sheh Shqipërinë si një vend të mundësive të mëdha për punësim dhe mëkëmbje ekonomike.

Tubimet parazgjedhore të partive kryesore kanë filluar dhe po shtohen dita ditës në çdo cep të Shqipërisë qysh prej fillimit të këtij viti. Koalicioni i vëzhguesve vendorë u ka bërë thirrje partive të përmbahen dhe të reduktojnë këto tubime, dhe t’i përqëndrojnë energjitë në 30 ditët e fushatës sipas ligjit. Por ethet e garës kanë nisur qysh herët për PD që kërkon një mandat të tretë në qeveri dhe për PS që synon të vijë në qeverisje pas 8 vjetësh në opozitë. Funksionimi i KQZ mbetet për to temë e ditës pas dy dorëheqjeve të anëtarëve nga PS, ndërsa kaloi edhe afati 48 orësh për të sjellë dy anëtarë të rinj.
XS
SM
MD
LG