Lidhje

Tension në protestën e opozitës


Vezë, gurë, shkopinj, qese me bojë, apo shashka tymuese ndaj godinës së qeverisë. Në flakë bunkeri pranë ministrisë së Brendshme. Basha: Zgidhja e vetme, qeveri teknike e zgjedhje të parakohshme. Ambasada amerikane dënoi "dhunën gjatë protestës"'

Manifestimi i sotëm i opozitës ishte paraprirë nga thirrjet e përsëritura ditët e fundit nga kryetari demokrat Lulzim Basha se kishte ardhur ora e përballjes me qeverinë e kryeministrit Edi Rama për largimin e saj. Edhe dita e zgjedhur, në përvjetorin e nisjes së lëvizjes që coi në rrëzimin e diktaturës komuniste në vitin 1990, mbarte një simbolikë të fortë. Që në fillim protesta nisi me tensione, kur drejt godinës së qeverisë nisën të lëshoheshin vezë. Më pas, ndërsa folës të shumtë, jo vetëm politikanë të së djathtës, ngjiteshin me radhë në podiumin e ngritur në bulevardin qëndror, acarimi erdhi në rritje. Shkopinj, gurë, dhe shashka tymuese u lëshuan drejt godinës nga protestuesit, ndërsa ndërhyrjet e policisë ndaj disa personave që arrinin të kalonin gardhin e krijuar prej tyre rrezikuan të conin dhe në përplasje, të cilat u evituan nga të dyja palët.

Tension në protestën e opozitës
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:33 0:00

Situata kulmoi kur protesta u zhvendos nga godina para kryeministrisë drejt vendit ku pranë ministrisë së Brendshme është ndërtuar një bunker simbolik, pjesë e një projekti për të hapur për publikun tunelet e nëndhenshme të ndërtuara gjatë kohës së diktaturës. Ndërtimi i tij është kundërshtuar me forcë vecanërisht nga ish të përndjerkurit politik, sipas të cilëve, e majta po provokon duke kërkuar të evokojë simbolet e komunizmit.

Protestuesit shkulën me forcë gardhin rrethues. Më pas, një pjesë e tyre hipën mbi bunker duke valëvitur flamujt e partisë demokratike. Të tjerë pak më vonë i vunë zjarrin pjesës së brendshme të tij. Zjarri ju vu dhe një skele të ngritur për rikonstruksionin e fasadës së ministrisë së Zhvillimit urban në anën e e sheshit ku është ngritur bunkeri. Forcat e policisë nuk ndërhynë, ndonëse njësitë speciale u grumbulluan aty pranë.

Me protestuesit u bashkua dhe kryetari i partisë demokratike dhe drejtuesë të tjerë të opozitës. Më herët, zoti Basha, gjatë fjalës së tij, e kishte cilësuar manifestimin që mblodhi sot një numër të madh mbështetësish të opozitës, si “një referendum të jashtëzakonshëm të qytetarëve të lirë për të kërkuar largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeveria teknike për zgjedhje të parakohshme. Para nesh shtrohen sot vetëm dy zgjidhje. Ose të largojmë qeveri-fatkeqësinë, ose të pranojmë duke bërë sehir largimin e popullit, largimin tuaj nga Shqipëria. Ose të rrëzojmë qeveri-fatkeqësinë, ose të pranojmë rrëzimin e Shqipërisë”.

Sipas zotit Basha, nuk mund të pritej më për të reaguar: “Të reagojmë sot, nesër do të jetë vonë. Rrugë të mesme nuk ka. Nuk ka më kohë e nuk duhet t’i japim më kohë qeverisë së Edi Ramës me dyzet hajdutë. Nuk ka më pritje dhe nuk duhet të presë më askush, asnjë ditë. Pritja e mbaroi kohën e saj”.

Kërkesa për largimin e qeverisë ka qenë refreni i përsëritur disa herë nga zoti Basha në fjalën e tij, ndërsa akuzonte shumicën e majtë në pushtet për korrupsion masiv, abuzim me pushtetin dhe varfërim të shqiptarëve, të cilët sic theksoi ai kanë të gjithë forcën që të bëjnë atë që bënë qytetarët dhe në Rumani e Maqedoni. “Ne nuk do të lodhemi, nuk do të nënshtrohemi. Ky është fillimi i një stine protestash që do të ndalet vetëm kur të arrijë objektivat e saj popullore. Ka nisur mosbindja civile. Në këmbë qytetarë e qytetare. Në këmbë shqiptarë e shqiptare”, theksoi zoti Basha

Pasdite, përmes një statusi në Facebook, kryeministri Edi Rama do të komentonte protestën duke cilësuar ngjarjet e ndodhura si “vandalizëm” dhe “një shfaqje të vobektë” të Partisë Demokratike, krahasuar me protestat që nisën 8 dhjetorin e 1990, shkruante zoti Rama. Sipas tij është një “shëmti e trishtueshme të shohësh pas 25 vitesh të krijimit të saj si forcë e shpresës, besimit dhe vullnetit europian të shqiptarëve, një PD të katandisur në hije të vetvetes që besimin e humbur rreket ta rifitojë me gurë e shishe benzine mbi investimet publike”.

Pasdite vonë ambasada e Shteteve të Bashkuara e dënoi dhunën gjatë protestës.

XS
SM
MD
LG