Lidhje

Shqipëri: PD, PS bien dakord për ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore


Shqipëri: PD, PS bien dakord për ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore
Shqipëri: PD, PS bien dakord për ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore

Ndonëse pa bujë, parlamenti shqiptar duket se mbylli sot një kapitull të gjatë e të vështirë të një krize mbi dy vjecare. Shumica dhe opozita i dhanë udhë një procesi që do të duhet të kalojë domosdoshmërisht përmes bashkëpunimit dy palësh. Hapi i parë i madh u hodh me miratimin në konferencën e kryetarëve të ngritjes së komisionit të reformës zgjedhore, të një grupi pune për ndryshimet në rregulloren e parlamentit si dhe të një kalendari për miratimin e ligjeve me tre të pestat.

Komisioni i reformës zgjedhore do të ketë një përbërje të barabartë mes palëve, nga 5 anëtarë secila, ku demokratët tre vende do ja lënë aleatëve të tyre, ndërsa socialistët i lënë një vend aleatit të vetëm që përfaqësohet në sallë, partisë Bashkimi për të drejtat e njeriut.

Grupi i punës për ndryshimet në rregulloren e parlamentit, bazuar në atë të parlamentit europian, do të jetë prej katër vetësh, edhe këtu me përfaqësim të njejtë 2+2.

Për ligjet me tre të pestat, e cila ishte në të vërtetë edhe cështja e mbetur pezull, palët gjetën një kompromis. Ligjet për të cilat ka më pak kundërshti do të kalojnë deri brenda tre javëve të ardhshme, ndërsa të tjerat si kodi penal apo gjykata administrative do të përfshihen dora dorës në kalendaret tre javore, me angazhimin që ky proces të përfundojë brenda marsit.

Ndërsa kryetari i grupit socialist Gramoz Ruci nuk shfaqi ndonjë entuziasëm të vecantë ndërsa foli për tre pikat e marrëveshjes te kaluara me konsensus, kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli nga ana e saj foli për një ditë të shënuar për parlamentin: “Me miratimin unanim të Konferencës së Kryetarëve, sot është vendosur të nisë puna për zhbllokimin e asaj situate që ka penguar për më shumë se dy vjet procesin e integrimit. Unë, të paktën sot, dua të harroj debatet e dy viteve dhe të përgëzoj partitë politike parlamentare për vendimet që kanë marrë sot në Konferencën e Kryetarëve. Sot, të gjitha palët kanë marrë përsipër përgjegjësinë që u takon”.

Në arritjen e kësaj marrëveshjeje, e cila u negociua për një kohë të gjatë mes përfaqësuesve të të dy palëve, ka peshën e saj edhe trysnia e Brukselit. Pas rrëzimit për të dytën herë radhazi të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit Stefano Sannino erdhi dy herë brenda një muaji në Tiranë. Vizita e tij e fundit ishte javën e shkuar, ndërkohë që më parë komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle i kishte nisur një letër kryeministrit SaliBerisha dhe kryetarit socialist Edi Rama.

“Rinisja e një punë konkrete për 12 prioritetet kyce, përfshirë këtu edhe përmes përfundimit dhe miratimit në parlament të Planit të veprimit, krijimit të dy komisioneve të posacme parlamentare që do të punojnë për rregulloren e parlamentit dhe legjislacionin zgjedhoe, dakortësisë mbi një kalendar të diskutimeve dhe miratimit në parlament tëlegjislacionit kyc, të gjitha këto mund të përfaqësojnë një pikë të vërtetë kthese për Shqipërinë”, shkruan zoti Fyle.

Me marrëveshjen e sotme vendit mund t’i hapet një dritë e vogël shprese për përshpejtimin e cështjes se statusit të vendit kandidat. Nuk përjashtohet mundësia që këto zhvillime të vlerësohen në dhjetor nga Këshilli i ministrave te BE, i cili mund që edhe t’i kërkojë komisionit të hartojë një opinion të ri në mars, e jo më në vjeshte, sic ndodh zakonisht.

Edhe në letërn e tij zoti Fyle, ndërsa kërkon nga palët që të lëvizin me shpejtësi, lë të hapur një mundësi të re, ndonëse pa marrë asnjë angazhim konkret. “Ndonëse nuk do ta konsideroja realiste mundësinë që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat në fund të këtij viti, unë jam po aq i bindur se një veprim i shpejtë e i vendosur nga ana e forcave politike shqiptare, në kontekstin e një dialogu konstruktiv e domethënës, mund të ketë një efekt pozitiv në mënyrën se si Këshilli do të vlerësoje mundësitë që Shqipëria të bëjë progres në ecjen përpara drejt Bashkimit Europian”, shprehet komisioneri Fyle.

XS
SM
MD
LG