Lidhje

Shqipëri: Përfaqësim i grave në pushtetin vendor në kuota minimale


Shqipëri: Përfaqësim i grave në pushtetin vendor në kuota minimale
Shqipëri: Përfaqësim i grave në pushtetin vendor në kuota minimale

Sipas një studimi të më fundit, përfaqesimi i grave në pushtetin vendor në Shqiperi ka zbritur ne kuota minimale.

Studiuesit e çështjeve sociale pohojne se kjo është një tjetër pasoje e politikave konfliktuale që ndjekin partitë kryesore.

Sipas tyre, partitë rikandidojne disa mandate rresht bashkiakët ekzistues, me qellim që të ruajnë "bastionet e tyre politike".

Qendra studimore Open Data Albania sapo ka përfunduar një kërkim mbi katër zgjedhjet e fundit vendore të Shqipërisë 2000-2011, sa i takon përfaqësimit të grave dhe rizgjedhjes së bashkiakëve. Nga studimi statistikor doli se zgjedhja e grave bashkiake është në nivele shumë të ulta, ndërsa rizgjedhja e burrave bashkiakë është dyfishuar. Nga 65 bashki që ka Shqipëria vetëm në tre prej tyre sivjet janë zgjedhur bashkiake gra. Në 2007 u zgjodh vetëm një grua, në 2003 nuk u zgjodh bashkiake asnjë grua, dhe në 2000 ishin 5 bashkiake femra. Nga ana tjetër kryetarët burra mbizotërojnë, madje rikandidohen dhe rizgjidhen për disa mandate rresht. Në zgjedhjet vendore të 2007, u rizgjodhën në mandatin e tretë 6 kryetarë bashkie, në 2011 u rizgjodhën 11 kryetarë bashkie në mandatin e tretë, madje njëri u rizgjodh edhe për mandatin e katërt.

“Duke patur parasysh se sa shumë rëndësi, se sa shumë kompetenca ka bashkiaku dhe se sa shumë problematike është Shqipëria në konsolidimin e modelit të menaxhimit të pushtetit lokal, do të ishte me vend që individë të caktuar të mos rikonfirmoheshin ose të mos rikandidonin më shumë se sa dy herë për kryetar bashkie” - tha Aranita Brahaj, drejtore ekzekutive e projektit Open Data Albania.

Sipas ekspertëve të Open Data Albania, nuk janë votuesit ata që nuk zgjedhin bashkiake femra, por janë partitë ato që kandidojnë shumë pak veprimtare të tyre për të drejtuar punët e pushtetit vendor. Drejtuesja Aranita Brahaj, e këtij projekti me mbi 150 studime social ekonomike të publikuara në më pak se një vit, thotë se sugjerimet e statistikave janë të thjeshta; partitë të kandidojnë sa më shumë femra në pushtetin vendor dhe të mos rikandidojnë pa kufi kryetarët aktualë në 3 apo katër mandate.

“Mund të jetë një kufizim që mund të rregullohet nëpërmjet një ligji, ndoshta përmes ligjit për organizimin e pushtetit lokal. Nga ana tjetër mund të jenë edhe vetë individët, të cilët duhet të kenë një plan të zhvillimit të karrierës, për ta parë veten pas dy mandateve ndoshta përsëri të dobishëm në një rol tjetër drejtues në sektorë të tjerë të pushtetit vendor” - tha ajo.

Por si e shohin këtë studim vëzhgues të tjerë të politikës shqiptare. Drejtuesi i Institutit për Zhvillimin e Marrëdhënieve Publike, Alban Bala, thotë se shkaktarët e këtyre statistikave të zhdrejta janë vetë partitë politike që vendosin për listat e kandidatëve. Partitë mbajnë në këmbë bastionet politike duke rizgjedhur pakufi bashkiakët.

“Komunitetet lokale sa më të varfëra të jenë aq më shumë janë të prirura që të konsumojnë politikë. Politika antagoniste që realizohet në qendër zbërthehet e gjitha në përforcim bastionesh apo apo krijim bastionesh të reja në zona rurale apo qytete të varfra. Kjo nënkupton riciklim të domodoshëm atje të bashkiakëve ekzistues, sepse janë ata që justifikojnë mbajtjen në këmbë të ashpërsisë së betejës politike nga qendra në bazë” - thotë ai.

Zoti Bala thotë se partitë duhet të mendojnë më në fund që të ngrejnë institucionin e qeverisjes vendore, pavarësisht nga cilësitë e rralla që mund të ketë kandidati.

“Unë nuk mendoj se ngushtimi ligjor në këtë çështje do të ndryshonte diçka thelbësore në cilësinë e qeverisjes vendore. Partitë politike dhe strukturat shtetërore përkatëse duhet të fillojnë të merren me zhvillimin e politikave lokale. Kjo do të ishte shansi i parë dhe kryesor për të prodhuar cilësinë e qeverisjes vendore. Kjo cilësi, më shumë se përmes emrave, duhet kërkuar përmes institucioneve” - thotë zoti Bala.

Analistët vërejnë se fakti që qytetarët zgjedhin shumë udhëheqës burra nuk do të thotë aspak se nuk mbështesin politikanet gra. Ato janë votuar kudo ku janë kandiduar, madje ekziston edhe një prirje e brendshme e shoqërisë që të refuzojë politikanët burra, duke votuar pro kandidateve gra të çdo force politike qofshin. Partitë politike, thonë ata, duhet t’i japin zgjedhësve më shumë mundësi që të shprehen me votë për këtë temë.

XS
SM
MD
LG