Lidhje

Shqipëri: Përgatitet një ligj i ri për ndërmjetësimin e konflikteve


Shqipëri: Përgatitet një ligj i ri për ndërmjetësimin e konflikteve
Shqipëri: Përgatitet një ligj i ri për ndërmjetësimin e konflikteve

Ekspertët shqiptarë të juridiksionit të mbështetur edhe nga disa organizata ndërkombëtare të specializuara sapo kanë përfunduar hartimin e disa neneve të reja në ligjin për ndërmjetësimet, në një përpjekje për të lehtësuar punën e gjykatave dhe për të zbutur atmosferën konfliktuale në komunitetin qytetar. Lajmi u bë i ditur në Konferencën e Forumit të Europës Juglindore për Ndërmjetësim, i cili punon prej disa vitesh për zgjidhjet alternative të konflikteve në shoqëri. Studimi për këtë temë është kryer pikërisht mbi një projekt pilot në gjykatën e Durrësit, ku janë zgjidhur me ndërmjetësim një numër i konsiderueshëm konfliktesh pronësore dhe civile.

Kryetari i Gjykatës së Durrësit, Ervin Metalla, thotë se së shpejti parlamenti mund të miratojë një paketë nenesh, ku ndërmjetësimi propozohet që të jetë një institucion drejtësie më vete, si në të gjithë Europën. “Është dashur një punë e jashtëzakonshme e gjyqtarëve, që duke shfrytëzuar kuadrin ligjor ekzistues të bien palët ndërgjyqëse lidhur me dobinë e zgjidhjes me ndërmjetësim. Kjo është një zgjidhje pa kosto materiale e kohore, pa burokraci. Është një sfidë që sapo ka filluar dhe ka rrugë të gjatë përpara për të bërë. Aktualisht ne shohim ndjeshmërinë e ministrisë së drejtësisë për të ndryshuar ligjin për ndërmjetësimin, për ta bërë atë më të plotë, për t’i ardhur më shumë në ndihmë gjyqtarëve, për të referuar sa më shumë procese gjyqësore drejt zgjidhjeve me ndërmjetësim. Nga ana tjetër sfida kryesore mbetet mentaliteti i shoqërisë shqiptare dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë për zgjidhje me pajtim të mosmarrëveshjeve” - tha zoti Metalla.

Në Konferencën e Forumit të Europës Juglindore për Ndërmjetësim folën përfaqësues nga të gjitha vendet e rajonit, për mënyrat e ndryshme të zgjidhjes së konflikteve. Por zgjidhja e mosmarrëveshjeve me ndërmjetësim është një nga kërkesat e Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe rajonin që është në rrugën e integrimit. Drejtoresha e Shkollës së Magjistraturës, Marjana Semini, thotë se aktualisht të gjitha këto vende po ndryshojnë ligjin e ndërmjetësimit, që ul mjaft kostot gjyqësore të palëve në konflikt.

“Është një sfidë e vazhdueshme mentalitetesh, ndryshimesh ligjore, interesat e avokatëve, por e rëndësishme është që cështjet e zgjidhura dhe rezultatet tregojnë që lëvizja e të mirave monetare që burojnë nga bizneset nëpërmjet procesit të ndërmjetësimit është shumë më e lehtë se sa përmes procesit gjyqësor. Bllokimi që u ndodh pasurive, vlerave monetare, llogarive bankare nëpër procese dhe procedura shpesh sjell më tepër dëm se sa pot ë gjendet një rrugë e mesme miqësore në mënyrë që palët të dalin të dyja të fituara” - thotë zonja Semini. Ajo theksoi se ka ardhur koha që për një listë të gjatë llojesh konflikti ndërmjetësimi pajtues të bëhet i detyrueshëm. Sipas saj, kjo lehtëson punën e gjykatave dhe mbështet fuqishëm atë që quhet sot drejtësia restauruese, pra që gabimet të ndreqen me pajtim dhe jo me ndarje në procese të shtrenjta penale.

Ndërsa drejtuesi i Institutit të Ndërmjetësimit, Rasim Gjoka, thotë se ekspertët kanë tashmë një përvojë në 10 vjet për zgjidhjen e konflikteve familjare, pronësore e civile. “Aplikimi i ndërmjetësimit për zgjidhje konfliktesh, qoftë brenda apo edhe jashtë sistemit gjyqësor, është një formë lehtësuese ndaj qytetarëve për të gjetur zgjidhje konfliktesh, që kryesisht janë pronësore, por edhe në ndërtim, konsum, të cilat gjejnë zgjidhje të shpejtë dhe pa shpenzime të larta financiare. Kjo ndjehet dhe perceptohet pozivisht nga të gjithë. Natyrisht kërkon kohën e vet për të krijuar infrastrukturën e nevojshme për të funksionuar si alternativë. Vërej një vullnet e mbështetje të gjerë për t’u realizuar kjo alternativë” - tha zoti Gjoka.

Gjykatat e Shqipërisë kanë një mbingarkesë të jashtëzakonshme pune, ndërsa gjyqtarët duhen të trajtojnë 8-15 gjyqe në ditë, dhe ndërmjetësimi është një nga rrugëdaljet më të suksesshme. Specialistët pohojnë se ndërmjetësimi është një metodë që lehtëson mjaft barrën e gjykatave, pajton njerëzit me kosto të ulët, dhe gjen më shpejt zgjidhje me bashkim e mirëkuptim, se sa gjyqet penale me ndarje konfliktesh.

XS
SM
MD
LG