Lidhje

Shqipëri: Përkujtohet “Dita Kombëtare e Rinisë”


Shqipëri: Përkujtohet “Dita Kombëtare e Rinisë”

Shqipëri: Përkujtohet “Dita Kombëtare e Rinisë”

Disa organizata joqeveritare përkujtuan sot me veprimtari të ndryshme në Tiranë dhe qytete të tjera “Ditën Kombëtare të Rinisë”. Kjo ditë shënon përvjetorin e Lëvizjes Studentore Antikomuniste në dhjetor të vitit 1990. Shoqatat rinore nderuan sakrificat e studentëve të Universitetit të Tiranës gjatë protestave kundër diktaturës komuniste, duke kërkuar liri, demokracië dhe pluralizmin politik.

Presidenti Bamir Topi vlerësoi studentët e vitit 1990, si “brezi që pati kurajon t’i kundërvihej njërit prej regjimeve më staliniste në Europë”. Në një mesazh publik, presidenti Topi, tha se “nderim të veçantë meriton udhëheqësi i Lëvizjes Studentore Azem Hajdari, Arben Broci dhe përfaqësues të tjerë të kësaj lëvizjeje, që mbrojtën deri në fund të jetës parimet politike të Dhjetorit ‘90”. Zoti Topi thotë në mesazhin e tij se “demokracia në Shqipëri do të ishte më e fortë dhe integrimi euro-atlantik më i shpejtë dhe më i plotë, nëse klasa politike e tranzicionit do të udhëheqej nga të njëjtat parime idealiste të Lëvizjes Studentore të vitit 90”.

Edhe kryeministri Sali Berisha theksoi në një mesazh publik se “21 vjet më parë, studentët e Tiranës gjunjëzuan diktaturën më të egër në Europë, dhe kërkuan një Shqipëri europiane dhe demokratike”. Zoti Berisha tha se “pas 21 vjetësh Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe ëndrra europiane e studentëve u bë realitet”. Ai kujtoi se si “qindra të rinj që diktatura i vrau në kufi, duke u përpjekur të largoheshin nga atdheu, ndërsa sot shqiptarët lëvizin të lirë në gjithë Europën”.

XS
SM
MD
LG