Lidhje

Shqipëri: Zyrtarë të lartë të rendit akuzojnë njeri tjetrin

  • Armand Mero

Shqipëri: Zyrtarë të lartë të rendit akuzojnë njeri tjetrin

Shqipëri: Zyrtarë të lartë të rendit akuzojnë njeri tjetrin

Në Shqipëri incidentet e së dielës në afërsi të Tiranës mes mbështetësve demokratë dhe atyre socialistë kanë provokuar përplasje mes policisë dhe drejtuesve të ministrisë së Brendshme. Komandanti i forcave speciale Shemsi Premci ka denoncuar sot në Prokurori zëvendës ministrin e brendshëm Avenir Peka se i ka kërkuar të ndërhyjë në kundërshtim me ligjin duke e kërcënuar dhe ofenduar.

Ndërkohë Ministria e Brendshme njoftoi sot se zv.ministri Avenir Peka akuzoi në prokurori për shpifje komandantin e forcave speciale Shemsi Premçi. Në një njoftim për shtypin Ministria e Brendshme thekson se ajo nuk do të lejojë keqpërdorimin e Policisë së Shtetit dhe u bën thirrje forcave politike të qëndrojnë larg përpjekjes për të instrumentalizuar politikisht struktura apo efektivë të Policisë së Shtetit.

Menjëherë ka reaguar Partia Socialiste e cila ka kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin e zëvendësministrit Peka.

Simbolet partiake vazhdojnë të mbeten një shkas për nxitjen e përplasjeve mes mbështetësve të kampeve politike edhe ne kete fushate elektorale. Dy incidente u shënuan sërish dje. Në Kashar dy vëllezër u goditën, pasi sipas policisë, u ishte kërkuar që të hiqnin flamujt e Partisë Demokratike nga lokali i tyre. Në zonën e Bathores, në Kamëz, dy makina që mbanin flamujt e Partisë Socialiste u qëlluan me gurë dhe shkopinj duke provokuar ndezjen e gjakrave mes mbështetësve të të dy palëve. Policia u detyrua të ndërhyjë për të evituar një përplasje të mëtejshme.

Por ky incident i fundit ka shkaktuar edhe një përplasje mes policisë dhe drejtuesve të ministrisë së Brendshme. Drejtori i forcave speciale Shemsi Premci ka akuzuar zëvendësministrin Avenir Peka, ministër në detyrë pas dorëheqjes së zotit Lulëzim Basha, se i ka kërkuar në mënyrë të paligjshme të ndërhyjë në Bathore me trupat e tij. Zoti Premci dorëzoi sot një denoncim në Prokurori ndaj zëvendësministrit Peka:

"Ka kërkuar që unë të shkel ligjin dhe të vej në lëvizje forcat e Ndërhyrjes së shpejtë, për të operiar në atë zonë. Pastaj më ka kërcënuar dhe më ka fyer rëndë në dinjitetin tim personal. Argumenti ka qenë për gjoja për të shtypur disa rrugacë që mbështesnin kandidatin e PS. Unë nuk e di dhe nuk kam shkuar atje në Kamëz dhe nuk do të shkoj për probleme të kësaj natyre. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë detyra specifike me ligj. Urdhërin për vënien në veprim të forcave speciale unë e marr vetëm nga Drejtori i Policisë. Ministri dhe zëvendësministri i Brendshëm, aktualisht në detyrën e ministrit, nuk ka tagër dhe nuk ka të drejtë të urdhërojë veprime operacionale të policisë. Ai është udhëheqës politik i policisë".

Menjëherë pas kësaj ka reguar Partia Socialiste e cila ka kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin e zëvendës ministrit Peka.

“Ky zv/ministër që guxon të dalë mbi ligjin urgjentisht duher të japë dorëheqjen apo të shkarkohet nga detyra. Paralajmërojmë Sali Berishën të mbajë larg nga vota e lirë e popullit pekat dhe purtekat e tij, bashat dhe mashat, ponet dhe alkaponet.Askush nuk do të mundet më të shtypë militantët e PS as në Bathore dhe asgjëkundi tjetër. Askush nuk do të mundet më të prekë dhe të vjedhë votat e shqiparëve. Askush nuk do të mundet më të manipulojë zgjedhjet e lira”, tha përfaqësuesi i PS, Namik Dokle.

Policia njoftoi sot se ka arrestuar personin që provokoi incidentin në Bathore, ndërkohë që janë proceduar penalisht për bllokim rruge edhe 10 shtetas të tjerë. Po ashtu janë ndaluar tre personat që qëlluan vëllezërit në Kashar dhe janë shpallur në kërkim edhe 4 të tjerë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG