Lidhje

Shqipëri: Prefekti kthen për rishqyrtim projekt-buxhetin e Bashkisë së Vlorës

  • Raimond Kola

Shqipëri: Prefekti kthen për rishqyrtim projekt-buxhetin e Bashkisë së Vlorës

Shqipëri: Prefekti kthen për rishqyrtim projekt-buxhetin e Bashkisë së Vlorës

Prefektura e Vlorës tha se do të rikthejë për shqyrtim buxhetin e Bashkisë së Vlorës të miratur për këtë vit nga shumica e këshilltarëve. Rasti është i pari për këtë vit, ndërkohë që bllokimi i buxheteve solli mjaft vështirësi vitin e kaluar për disa nga bashkitë në Jug të Shqipërisë. Analistët politikë parashikojnë një klimë të vështirë të marëdhënieve pozitë-opozitë në nivelin vendor për shkak të atmosferës së pritshme të zgjedhjeve vendore që pritet të mbahen në maj.

Prefekti i Vlorës tha se do të kthejë për rishqyrtim buxhetin e bashkisë së Vlorës për vitin 2011, i cili u miratua fundvitin e shkuar me shumicën e majtë në këshillin bashkiak të këtij qyteti.

Burimet zyrtare të Prefekturës së Vlorës njoftuan se Prefekti Eduart Veçani tha se vendimi i institucionit qeveritar që kontrollon në Shqipëri ligjshmërinë e vendimeve të pushtetit vendor mbështetet prej konstatimit të shkeljeve të ligjit të pushtetit lokal dhe të rregullores së këshillit të bashkisë së Vlorës. Burimet zyrtare të Prefekturës njoftuan se prefekti ka konstatuar se procesi i diskutimit dhe miratimit të projekt-buxhetit nuk ka kaluar nëpër të gjitha hallkat, ashtu sikundër përcakton ligji. Sipas këtyre burimeve Prefektit Veçani ka vlerësuar se në buxhetin e miratur nga këshilltarët bashkiakë parashikohen taksa për çeljen e aktiviteteve të reja, praktikë që, sipas tij, bie në kundërshtim me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë dhe vendimet e qeverisë.

Bashkia e Vlorës, ndërkaq, ende nuk ka reaguar mbi keto deklarata pasi sipas saj pritet që ato të bëhen institucionale nga Prefekti.

Rasti i kthimit pas të buxhetit vendor është i pari për këtë vit. Shumë prej bashkive dhe komunave ende nuk i kanë miratuar buxhetet në këshillat e tyre që janë edhe organet më të larta vendimarrëse dhe që përbehen nga anëtarë nga forca të ndryshme politike.

Tre muajt e parë të vitit pritet të jenë temë e nxehtë për këtë çështje mes këshilltarëve të dy forcave më të mëdha politike, demokratëve dhe socialistëve. Analistët vendorë parashikojnë se procesi i miratimit të buxheteve pritet të bëhet më i vështirë edhe prej klimës së pritshme të përplasjeve politike në nivelin vendor. Kjo për shkak të fushatës së zgjedhjeve lokale që do të mbahen në maj.

Mosmiratimi i buxheteve sjell vështirësi në operacionet financiare të organeve vendore, për më tepër në ato që kanë të bëjnë me shërbimet ndaj qytetarëve. Vitin e kaluar mosmarrëveshjet mes të majtëve dhe të djathtëve në Këshillin Bashkiak të Fierit e kishin rrëzuar disa herë buxhetin e Bashkisë dhe në vjeshtë çështja i shkoi për shqyrtim gjykatës. Po kështu në mjaft komuna dhe bashki në Jug të Shqiperisë procesi kishte kaluar vitin e shkuar në tensione të herëpashershme politike deri në aprovimin nga këshilltarët.

Disa organizma ndërkombëtarë i kanë afruar viteve të fundit Shqipërisë asistencë në çështjet e qeverisjes vendore dhe një pjesë e kësaj asistence është dhënë edhe për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarjen për buxhetet vendore. Por klima e ndezur politike e këtij viti edhe në nivel lokal, pritet ta vështirësojë një përvojë të krijuar dy tre vitet e fundit në mjaft njësi vedore ku përparësitë e objektivave dhe interesave politike të partive ishin zëvendësuar nga përparësia e fjalës së publikut lidhur me drejtimin e financimeve vendore.

XS
SM
MD
LG