Lidhje

Shqipëri: Dështojnë bisedimet e para PD-PS


Takimit i kishte paraprirë një editorial i Kryetarit të PS-së Rama, ku ai bënte thirrje për bashkimin e votave për të rrëzuar qeverinë Berisha

Takimi i sotëm ishte i pari mes dy forcave kryesore politike të cilat pritej të diskutonin rreth mundësisë së gjetjes së një kompromisi për zgjedhjen me konsensus të presidentit të ardhshëm të vendit. Por në afër 45 minuta me njeri tjetrin duket se nuk ka patur fare kohë për të biseduar rreth zgjidhjes së kësaj cështjeje.

Socialistët të cilët katër javë më parë kishin kërkuar përmes kryetarit të tyre Edi Rama takim me kryeministrin Berisha për zgjedhjen e presidentit, i bashkangjitën sot kësaj pike edhe tre çështje të tjera për të cilat, sipas kryetarit të grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, duhej të thirrej një tryezë e drejtuesve të partive parlamentare që “të finalizojë dhe të miratojë me procedura parlamentare Reformën Zgjedhore. Dy, të finalizojë dhe të miratojë në seancën e parlamentit Reformën Parlamentare. Tre, të finalizojë dhe të miratojë formulën dhe pastaj ajo të ndjekë procedurat parlamentare për ndryshime kushtetuese për heqjen e të gjithë imuniteteve të të zgjedhurve shqiptarë që gëzojnë imunitet. Katër, të finalizojë një proces dhe të miratojë qysh në raundin e parë një President të gjithëpranuar nga palët politike parlamentare”, shpjegoi zoti Ruçi.

Takimit të sotëm i kishte paraprirë dhe një editorial i kryetarit socialist Rama, në të cilin bëhej thirrja për bashkimin e votave në parlament me këdo, në funksion të rrëzimit të qeverisë së kryeministrit Berisha. Sipas kryetarit të grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, socialistët kishin shkuar në bisedime me këtë platformë. Ai tha se nga ana e saj partia demokratike i ka votat për ta zgjedhur vetë presidentin e ardhshëm, “por – nënvizoi ai - ne kemi hyrë në këtë proces për t'i dhënë vendit një President sa më gjithëpërfshirës dhe sa më konsensual duke pasur parasysh edhe vlerën e shtuar që ai mund të ketë në një rast të tillë.

Por ndërkohë u kemi bërë të qartë përfaqësuesve të Partisë Socialiste që në rast se edhe ata do të kenë të njëjtin intension si ne është plotësisht e mundur që ne të arrijmë në një produkt dinjiotoz. Pra, një President sa më konsensual. Por në rast se ata kanë intensione të tjera për të rrëzuar qeverinë dhe gjëra të kësaj natyre siç i ka paralajmëruar edhe z. Rama në editorialin e tij sigurisht ky është një mision tërësisht i dështuar”, deklaroi zoti Patozi.

Ai tha se çështjet e tjera të paraqitura në takim nuk lidhen me presidentin duke akuzuar socialistët që sipas tij janë përgjegjës për bllokimin e reformave të tjera.

“Kam një shije të keqe nga ky takim por gjithsesi rezervohem të them fjalën e fundit sepse kjo mazhorancë, Partia Demokratike mandatin e së cilës unë përfaqësoj ka prirjen që edhe pas kësaj të papriture që ndodhi të mbajmë portën e dialogut hapur me shpresën që ne ende kemi mundësi për t'i dhënë vendit një president sa më konsensual. Por sigurisht kjo nuk mund të bëhet as përmes ultimatumeve e as përmes kurtheve ballkanike tipike për editorialin e Edi Ramës”, u shpreh zoti Patozi.

Kryetari i grupit demokrat e cilësoi të dështuar takimin e sotëm duke lënë të kuptohet se nuk ka arsye për të marrë në konsideratë këtë kërkesë të socialistëve. Zoti Ruçi nga ana e tij u shpreh se refuzimi do të ishte një ogur i keq:

“Unë nuk do ta dëshiroja mosthirrjen e kësaj tryeze, kjo do të ishte një ogur i keq për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Ky do ishte një lajm i keq për ndërkombëtarët. Sigurisht që kjo s'do të ishte përgjegjësia jonë, por unë nuk jam këtu për të nxjerrë përgjegjësinë, unë jam këtu për të zgjidhur problemin”.

Socialistët duket se duan për momentin të fitojnë kohë e të shohin se si do të shkojnë raportet brenda koalicionit qeverisë ku Lëvizja Socialiste për Integrim me katër votat e saj përcaktuese, është shprehur kundër një presidenti të zgjedhur me shumicë të thjeshtë. Votimi i parë do të zhvillohet të mërkurën. Gjasat janë që deri atëherë të mos ketë asnjë kandidaturë në garë. Raundi i votimit do të konsiderohet megjithatë i kryer dhe brenda 7 ditëve pasuese do të përcaktohet data e votimit të dytë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG