Lidhje

Shqipëri: Presidenti Topi kritikon ashpër forcat politike


Shqipëri: Presidenti Topi kritikon ashpër forcat politike
Shqipëri: Presidenti Topi kritikon ashpër forcat politike

Në Shqipëri presidenti Bamir Topi kritikoi sot ashpër forcat politike se ju shmangën përgjegjësive mbi dështimin për të dytin vit radhazi në përparimin e mëtejshëm të vendit drejt Bashkimit europian. Dje Komisioni europian në raportin e tij për Shqipërinë vlerësoi se vendi nuk i kishte përmbushur 12 objektivat e përcaktuar. Në një mesazh të tij publik, presidenti Topi shprehet se politika shqiptare ka nevojë për një reflektim të thellë në mënyrë që të fitohet koha e humbur ose të paktën sic shprehet ai, të mos jetë më pengesë e procesit të europianizimit të Shqipërisë.

24 orë pasi Komisioni Europian njoftoi se sërish Shqipëria nuk mundi të avanconte në raportet e saj me Brukselin, për shkak të vazhdimit të ngërcit politik, presidenti Bamir Topi nuk i kursen kritikat e drejtpërdrejta ndaj kalsës politike, qeverisë dhe opozitës, të cilën e konsideron përgjegjësen e këtij dështimi të radhës:”Kjo është përgjigjja e dytë negative për Shqipërinë; në dy rastet për të njëjtat problematika që lidhen kryesisht me përgjegjësinë e pambajtur të institucioneve politike në Tiranë. Vitin e kaluar Bashkimi Evropian i prezantoi Shqipërisë 12 rekomandime për një sjellje të re politike dhe reforma konkrete. Pas një viti, fatkeqësisht, shumica e këtyre kërkesave nuk janë plotësuar”.

Presidenti Topi e konsideron të papranueshëm faktin se palët vazhduan të fajësonin njëra tjetrën:

“Unë dëgjova dje deklaratat politike të palëve se pranojnë Raportin dhe janë të gatshëm të reflektojnë mbi problematikën e tij. Dëgjova gjithashtu se palët politike nuk pranuan asnjë përgjegjësi konkrete, por zakonisht fajësuan palën kundërshtare për shansin e humbur të integrimit. Si President dhe qytetar e refuzoj këtë praktikë dhe këtë qëndrim. Kjo është ajo çfarë nuk i duhet Shqipërisë, demokracisë dhe integrimit.”

Thirrja e presidentit Topi është që partitë e mëdha politike dhe udhëheqësit e tyre të dalin mbi interesat personale e politike të momentit e të bashkojnë energjitë në dobi të reformave: “Shqipëria ka nevojë për një vizion të ri politik, për qëndrime e politika të përgjegjshme, jashtë retorikave personale e propagandistike që nuk zgjidhin, por zgjasin pa fund tranzicionin dhe shanset tona integruese. Sot politika shqiptare ka nevojë për një reflektim të thellë moral e përfaqësues, për të fituar sa më shpejt kohën e humbur ose të paktën, për të mos u bërë më pengesë e procesit të evropianizimit të Shqipërisë”.

Duke ju referuar edhe cështjeve të ngritura në raportin mbi Shqipërinë presidenti Topi shprehet se nevojitet “një parlament funksional dhe produktiv, një qeverisje më transparente në shërbim të qyettarëve, veprime konkrete kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, stabilitet ekonomik dhe garantim real të parimit kushtetues të ndarjes dhe balancës së pushteteve”.

XS
SM
MD
LG