Lidhje

Shqipëri, mbyllet procesi zgjedhor


KQZ shpall rezultatin përfundimtar. Lleshi: Arritëm standardet ndërkombëtare. PS: Merita u takon shqiptarëve. Demokratët akuzojnë Kolegjin

Pas afro 6 javësh që nga dita e votimit, vetëm sot u zyrtarizuan rezultatet e 23 qershorit. Pavarësisht se përbërja e parlamentit të ri u mësua brenda pak ditësh, procedurat e ankimimit, të cilat u shoqëruan edhe me hapje të kutive në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve por edhe në Kolegj, e zvarritën procesin. Përfaqësuesi i partisë socialite në Komisionin qëndror, Genci Gjoncaj akuzoi për këtë komisionin i cili sipas tij në shumë raste iu nënshtrua trysnisë së demokratëve dhe u përpoq të ndotëte procesin. “Komisioni qendror i Zgjedhjeve, fatkeqësisht nuk e justifikoi besimin e publikut për të qenë arbitër i zgjedhjeve në Shqipëri, dhe çdo gjë e mirë që erdhi në këtë proces i takon vetëm sovranit, popullit shqiptar”, tha zoti Gjoncaj.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i demokratëve Ivi Kaso, lavdëroi punën e Komisionit, duke akuzuar ndërkohë Kolegjin zgjedhor “i cili në një vendimmarrje jo shumë të largët, por vetëm tre ditë më parë, në mënyrë të dhunshme, uzurpoi të drejtat që ligji ja njeh KQZ-së, dhe bëri vetë shpërndarjen e mandateve midis koalicioneve, brenda koalicioneve, shpalli listat e deputetëve dhe u cudita në fakt që nuk uzurpoi edhe këtë kompetencë që ju po ushtroni sot, pra të shpallte dhe rezultatin e zgjedhjeve”.

Aktiviteti i Komisionit qëndror të zgjedhjeve u shoqërua me dyshime të shumta pas dorëheqjes së tre anëtarëve të porpozuar nga opozita. Ai u kritikua edhe në raportin e ndërmjetëm të vëzhguesve ndërkombëtarë para zgjedhjeve, ndërsa disa vendime të tij për hapje të kutive dhe rinumërim u quajtën të pavlefshme nga Kolegji Zgjedhor. Megjithatë kryetarja Lefteri Lleshi tha sot se të katër anëtarët kishin punuar me paanshmëri dhe në respekt të ligjit: “Qëllimi kryesor i KQZ-së në këto zgjedhje, për vetë specifikën e pandodhur kurrë më parë, atë të mungesës së tre anëtarëve të saj, ishte jo vetëm realizimi me sukses dhe në kohë i detyrave të ngarkuara me ligj, por u synua të rritej në maksimum besimi i zgjedhësve në integritetin e procesit, subjekteve zgjedhore, vëzhguesve ndërkombëtarë, se procesi zgjedhor arriti standartet e pranuara ndërkombëtarisht, objektiva që besoj se i kemi arritur dhe do të marrin vlerësimin e duhur”.

Në zgjedhjet e 23 qershorit socialistët rezultuan forca e parë politike në vend me 713 mijë vota, 185 mijë vota më shumë se demokratët, forca e dytë me 30.6 përqind të elektoratit. Surpriza e këtyre zgjedhjeve ishte LSI-ja, e cila mori 180 mijë vota. Në parlamentin e ri do të ketë përfaqësues të 9 partive politike. Në krahun e majtë të sallës do të ulen 65 deputetë socialistë, 16 të LSI-së, 1 i PBDNJ-së dhe 1 i partisë Kristiandemokrate, gjithsej 83. Në anën tjetër do të jenë 46 deputetë demokratë, 5 republikanë, 4 të PDIU-së, dhe nga një vend për LZHK-n dhe demokristianët që përfituan nga përfshirja në listën e demokratëve e kryetarëve të tyre.

Vendimi i sotëm i Kolegjit zgjedhor u përshëndet edhe nga kryetari në detyrë i OSBE-së Robert Wilton i cili përmes një deklarate u shpreh se kjo organizatë pret “me dëshirë të bashkëpunojë me parlamentin dhe qeverinë e re, për ta shtyrë përpara axhendën e reformave të vendit dhe për të fuqizuar shtetin e së drejtës. Një demokraci funksionale – e cila ishte një aspiratë e shprehur nga qytetarët në votime – mund të arrihet vetëm me pjesëmarrjen dinamike të të gjitha partive të përfaqësuara në parlament”, tha zoti Wilton.
XS
SM
MD
LG