Lidhje

Shqipëri, prokuroria për vendimin mbi çështjen e 21 janarit


Prokuroria i kërkoi sot Gjykatës së Lartë të kundërshtojë vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila dënoi me 1 dhe 3 vjet burg ish komandantin e Gardës, Ndrea Prendi dhe ish drejtuesin e njësisë speciale, Agim Llupo

Në Shqipëri prokuroria iu drejtua sot Gjykatës së Lartë për të kundërshtuar vendimin e pak javëve më parë të Gjykatës së Apelit për çështjen e 21 janarit, e cila dënoi me 1 dhe 3 vjet burg ish komandantin e Gardës, Ndrea Prendi dhe ish drejtuesin e njësisë speciale, Agim Llupo.

Prokuroria vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit, që i akuzon të dy të dënuarit, për “vrasje nga pakujdesia” është marrë në shkelje të rënda proceduriale. Prokurorët i janë përmbajtur sërish akuzës fillestare për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” duke kërkuar 23 vjet burgim për Prendin dhe 25 vjet burgim për Llupon.

Sipas prokurorëve, në rastin e ish komandantit Prendi “Gjykata e Apelit nuk ka marrë fare në konsideratë faktin që ai ka ndërruar tytën e pistoletës për të zhdukur provat që e lidhnin atë me krimin”, shkruajnë prokurorët, ndërsa për rastin e oficerit Llupo “Gjykata e Apelit shprehen ata - nuk jep shpjegime për të mbështetur akuzën e vrasjes nga pakujdesia dhe se si plumbi i qëlluar në ajër sipas Gjykatës, ka goditur dhe vrarë Ziver Veizin”.

Po ashtu prokurorët ankohen mes të tjerash edhe për faktin se Gjykata nuk ka marrë parasysh dëshmitë e disa personave, të cilat, sipas prokurorëve, përputhen edhe me aktet e tjera të ekspertimit dhe pamjet filmike.

Dy javë më parë në Tiranë Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Europës, Nils Muižnieks deklaroi se “kjo çështje përbën një test madhor që po ndiqet nga afër nga komuniteti ndërkombëtar".

XS
SM
MD
LG