Lidhje

Shqipëri, hapa drejt rotacionit të qeverisjes


Kryetari i PS, Edi Rama u takua me ministrat e përgjedhur prej tij, një ditë pasi publikoi emrat dhe funksionet qeveritare që ata pritet të marrin në shtator

Partia Socialiste zhvilloi sot në mesditë një mbledhje me ministrat e propozuar të qeverisë së saj pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit. Kryetari i kësaj partie, Edi Rama, i cili pritet të propozohet për kryeministër sapo të mblidhet parlamenti i ri u takua me ministrat e përgjedhur prej tij, vetëm një ditë pasi publikoi emrat dhe funksionet qeveritare që ata pritet të marrin në shtator. Takimi u zhvillua me dyer te mbyllura për mediat dhe nuk doli ndonjë njoftim zyrtar për të, ndërsa jozyrtarisht mësohet nga gazetarët se aty është diskutuar për punësimet në administratë si dhe për sfidat e qeverisë së re, për të cilat zoti Rama foli një ditë më parë, kur paraqiti emrat e ministrave.


“Qeveria e re është fryt i një dialogu intensiv me partnerin strategjik, kryetarin e LSI, që dua ta falenderoj për frymën shumë konstruktive të bashkëpunimit për formimin e kabinetit të ri qeveritar dhe ndarjen e përgjegjësive mes ekzekutivit dhe legjislativit. Kemi punuar së bashku me qetësi e durim për të ndërtuar një grup njerëzish të përshtatshëm për idenë e një qeverie që duhet të punojë si skuadër, nga dita e parë në ditën e fundit. Qeverisja që duam do të duhet në radhë të parë të mishërojë vlerat e punës në skuadër, përballë sfidave të jashtëzakonshme që duhet t’i fitojmë medoemos për të mirën e shqiptarëve. Mjaft më me procesin qeverisës të copëzuar në parcela interesash partiake e vetjake ku s’e merr vesh i pari të dytin, e me mandatet qeverisëse ku qeveria bëhet trup i vetëm vetëm për të sharë opozitën në parlament” - tha zoti Rama dje.


Nga ana tjetër, Partia Demokratike është duke pritur diplomatë të misioneve perëndimore si BE dhe OSBE-ja me të cilët po diskuton për ecurinë e procesit zgjedhor, për mbylljen e tij dhe përshtatjen në rolin e opozitës konstruktive. Kryetari i sapozgjedhur i kësaj partie Lulzim Basha, u takua me përfaqësuesin e OSBE-së në Shqipëri, Robert ëilton, me të cilin diskutoi edhe për bashkëpunimin e ardhshëm në parlament. Pas këtij takimi zoti Basha komentoi edhe përbërjen e qeverisë së re që publikoi një ditë më parë Partia Socialiste.


“Pas tërheqjes nga çdo premtim që u ka bërë qytetarëve më 23 qershor njoftimi i djeshëm nuk habit askënd, por vërteton se qeveria e zotit Rama nuk mund të ishte veçse një bashkësi që do t'i shërbejë kryetarit për të përmbushur ëndrrën e tij për t'u ndjerë kryeministër dhe jo për t'ju shërbyer qytetarëve. Ky pra nuk është ekipi që do t'u shërbejë shqiptarëve, por ekipi që do t'i përulet kryetarit dhe do t'i shërbejë vetëm interesave të tij dhe të kupolës së errët të 23 qershorit” - tha zoti Basha sot.


Diplomatët perëndimorë në disa intervista dhe deklarata publike po kërkojnë përfundimin e procedurave zgjedhore si një administrim që mbyllet me shqyrtimin e ankesave dhe ndarjen e mandateve të deputetëve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se gjatë një mbledhje të radhës nesër në mesditë do të shqyrtojë projekt-vendimin për shpërndarjen e mandateve midis koalicioneve zgjedhore dhe partive politike që konkurrojnë më vete, për 12 zonat zgjedhore, për zgjedhjet e parlamentit, të datës 23 qershorit.


Por Partia Socialiste i kërkoi sot Kolegjit Zgjedhor që ta bëjë ai ndarjen e mandateve të deputetëve, sepse KQZ nuk mund të sigurojë kuorumin e nevojshëm për certifikimin e zgjedhjeve, ngaqë po punon vetëm me katër komisionerë. Kolegji Zgjedhor shqyrtoi të gjitha ankesat dhe brenda tri ditësh KQZ duhet të ndajë mandatet, dhe në pamundësi mandatet e deputetëve I ndan Kolegji, duke I kthyer formalisht në KQZ, procedura që nuk e kalojnë datën 10 gusht.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG