Lidhje

Kërkohet angazhim maksimal nga policia në Shqipëri


Në Shqipëri Kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga drejtuesit e rinj të policisë të emëruar dy ditë më parë, angazhimin maksimal të tyre për të frenuar rritjen e krimit dhe zbrapsjen e tij.

Në një takim me drejtuesit më të lartë të policisë Kryeministri Rama tha se sipas tij vendi ka trashëguar “një gjendje të rendit dhe të sigurisë publike që është e papranueshme, madje e paimagjinueshme për një vend që nuk është në luftë”, deklaroi ai duke shtuar se për këtë arsye “të jesh në krye të Policisë së Shtetit është më shumë sesa të kryesh një detyrë shtetërore. Është një mision”.

Lëvizjet e mëdha në nivelet drejtuese të policisë janë kritikuar ashpër nga opozita, e cila është shprehur se ato janë kryer në shkelje të ligjit duke akuzuar madje se disa prej drejtorëve të rinj ishin shkarkuar më parë për shkak të dyshimeve për lidhje me krimin.

Por sipas kryeministrit, policia është prekur thellë nga krimi dhe nga korrupsioni dhe kjo është arsyeja e përzgjedhjes së një skuadre të re drejtuese. Zoti Rama paralajmëroi se deri më tani është realizuar vetëm faza e parë e një reforme të thellë që do të përfshijë policinë.

XS
SM
MD
LG