Lidhje

Rama: Do të përmbushim pritshmëritë e publikut


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, aleanca e të cilit fitoi zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, deklaroi mbrëmë se qeveria e re do të përmbushë pritshmëritë e publikut, megjithëse e di se do të përballet me probleme të vështira. Zoti Rama i bëri këto komente gjatë një bisede me analistë në televizionin Top Channel, ku foli për kryeministrin Berisha dhe mënyrat se si qeveria e tij e re pritet të përballet me sfidat qysh në ditët e para të punës.
“Nuk do heqim dorë nga taksimi i ndershëm që t’u japim të gjithë atyren që sot fitojnë me pak të taksohen më pak, dhe që të mos heqim taksën e biznesit të vogël dhe mos përgjysmojmë tatimin e fitimit mbi biznesin e vogël” - tha zoti Rama.
Ai tha se PS do të qeverisë me LSI jo vetëm për votuesit e majtë, por edhe për të gjithë popullin shqiptar. “Koalicioni qeverisës është përcaktuar nga shqiptarët. Ne mirëpresim bashkëpunimin e të gjitha partive të opozitës në procesin administrativ dhe do ishim të kënaqur që në këtë proces të ishin edhe partitë e opozitës” - tha ai.
Zoti Rama tha se qeveria e re do të ngrejë një komitet për ekonominë, ndërsa një agjenci ndërkombëtare do të menaxhojë trajtimin e firmave në dogana. “Qëllimi ynë fundor është të jemi në krahun e shtresës së mesme dhe të më të varfërve, por jo duke goditur më të pasurit apo duke dëmtuar kompanitë e mëdha. S’mund të ketë punësim nëse nuk u japim mundësi kompanive që të punësojnë, pavarëissht se biznesi i vogël do jetë aleati ynë strategjik” - tha ai.
Kryetari i PS-së tha se në qeveri ai do të bashkëpunojë me pushtetin vendor sepse qytetet, sipas tij, janë braktisur dhe mbi to është transferuar lufta politike e kryeqytetit. Në 100 ditët e para socialistët do të godasin kriminalitetin e vogël, kumarin dhe lojërat e fatit. Ai premtoi se qeverisja socialiste do të heqë duart larg nga pushteti gjyqësor, për ta lënë atë të lirë që të ndëshkojë krimin dhe korrupsionin. Zoti Rama tha se brenda gushtit do të publikohet një kod etike për qeverisjen, ndërsa nuk pranoi të shfaqë emra ministrash, të cilat do të jenë pjesë e bisedimeve me aleatët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG