Lidhje

Shqipëri, rritja ekonomike 0.44% në 2013


Instat publikon vlerësimet paraprake. Në fund të vitit të shkuar ekonomia ju rikthye rritjes pozitive pas rënies së regjistruar në tremujorin e tretë

Shqipëria ka regjistruar një ritëm mjaft të ulët të rritjes ekonomike gjatë vitit të shkuar. Sipas të dhënave paraprake të Institutit të Statistikave, vlerësohet se rritja ka qenë në nivelet e 0.44 përqind, kuota më e ulët në 16 vitet e fundit. Kjo e dhënë u bë e ditur pas publikimit të shifrave për tremujorin e fundit të viti të shkuar, gjatë të cilit ekonomia shënoi përmirësim, ndonëse të ulët, me 1.1 përqind, pas rënies negative të tremujorit të tretë.
Shqipëri: 2013 rritja ekonomike 0,44%
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:02 0:00

“Me vlerësimin e tremujorit të katërt, ne kemi mundësinë që të bëjmë një vlerësim paraprak për vitin 2013 i cili mbështetur në treguesin e Vlerës së Shtuar Bruto tremujore pati rritje prej 0.44% krahasuar me vitin 2012”, njoftoi sot drejtori i Institutit të Statistikave Gjergj Filipi.

Kjo shifër është dhe më e ulët jo vetëm se parashikimet fillestare për buxhetin e vitit 2013, por edhe ato të rishikuara. Qeveria e re, e ardhur në pushtet shtatorin e kaluar, shpresonte në një rritje te 1.3 përqind, por me kalimin e muajve, kjo pritshmëri u ul deri në 0.7 apo 0.6 përqind.

Sipas drejtorit Filipi situata ekonomike e vitit të shkuar kërkon të analizohet me vëmendje: “Vendi ka kaluar goditje dhe këto goditje shpërndahen në mënyrë të ndryshme në sektorë të ndryshëm dhe krijojnë perspektiva të ndryshme zhvillimi të menjëhershëm apo më të ngadaltë, më të qëndrueshëm apo më intensive, per secilin prej sektorëve”.

Në rritjen e ulët për 2013 duket se ka ndikuar në mënyrë të vecantë rënia e fortë që ekonomia pësoi në tremujorin e tretë, kur shënoi një ecuri negative me minus 2.5 përqind, ndërkohë që në pjesën e parë të vitit pati një rritje mesatare prej afër 1.67 përqind. Tremujori i katërt, megjithëse u rikthua në norma pozitive, ishte përsëri i ulët. “Ekonomia në tremujorin e katërt të vitit 2013 vlerësohet me rritje prej 1.10% kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2012. Ndikim në këtë rritje kanë dhënë degët e ekonomisë si Tregti Hotele dhe Restorante, Ndërtim, Industri dhe Posta dhe Komunikacioni”, shpjegoi zoti Filipi.

Në këtë tremujor bie në sy rikthimi në ritme pozitive i sektorit të ndërtimit, pas një periudhe të errët në 2012 dhe ulje ngritjeve gjatë vitit të shkuar: “Ndërtimi në këtë tremujor shënon elemente pozitiviteti. Në tremujorin e mëparshëm ka patur një rënie domethënëse dhe ka rekuperuar në tremujorin e fundit me vetëm 3.6 përqind. Po të vemë re luhatshmërinë kohore të këtij komponenti për të gjithë tremujorët e viteve pararendëse, ndërtimi duket sikur është duke gjetur pozicionin e tij si sektor me domethënien respektive në ekonominë shqiptare. Dhe në këtë rrugëtim kemi disa oshilacione, ku në vitin 2012 të katër tremujorët kanë qenë rënës me shifra të mëdha”, tha drejtori i Instat-it.

Rritja e sektorit të ndërtimit duket se I dedikohet një shtimi të ndjeshëm të lejeve të ndërtimit gjatë fundvitit të shkuar. Ndërkohë që Transporti vazhdoi të qëndrojë në nivele negative, duke rregjistruar madje një rënie shumë të fortë me 27.9 përqind. Një ndikim të ndjeshëm duket të ketë dhënë falimentimi nëntorin e shkuar I kompanisë ajrore BelleAir.

Për vitin 2014 qeveria shpreson që ekonomia të rikthehet në rrugën e një rritjeje ne nomra më të larta, vecanërisht gjatë pjesës së dytë të vitit, kur deri atëherë pritet të jenë shlyer mbi 350 milion dollarë borxhe që shteti kishte ndaj ndërmarrjeve private.
XS
SM
MD
LG