Lidhje

Shqipëri-Serbi, pragsfidë e tensionuar

  • Armand Mero

Goditet me gurë autobusi i kombëtares serbe në hyrje të Tiranës. Policia shqiptare: Ka vetëm një gërvishtje. Beogradi notë proteste

Një situatë gati tensioni duket se po i paraprin ndeshjesh së sotme mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2016, që do të zhvillohet në Francë. Skuadra serbe e cila mbërriti dje pasdite në Tiranë, njoftoi për një incident gjatë udhëtimit drejt hotelit. Autobusi i kombëtares serbe është qëlluar me gurë. Lajmi gjeti një përhapje të menjëhershme në mediat serbe, të cilat pasqyruan komente të drejtuesve të federatës së tyre të futbollit, duke e cilësuar ngjarjen si “tronditëse”, ndërkohë që presidenti i Federatës Tomislav Karadzic citohet të jetë shprehur se nëse do të ketë incidente të tjera atëherë ai do t’i kërkojë skuadrës të tërhiqet.

Policia shqiptare ndërkohë, në një komunikatë të saj theksoi se “që nga momenti i zbritjes së lojtarëve në aeroportin e Rinasit deri në mbërritjen e delegacionit në hotelin ku janë akomoduar nuk është konstatuar asnjë problem. Në momentin e mbërritjes përpara hotelit është vënë re se nga krahu i drejtuesit të autobusit kishte një plasaritje, e cila dyshohet se mund të jetë gjuajtur në një distancë të largët me gurë. Policia po punon për verifikimin e të gjitha rrethanave dhe zbuluar autorësinë dhe vendosjen përpara përgjegjësisë personin që ka kryer këtë veprim”, saktëson komunikata e policisë së Tiranës.

Një video e xhiruar me telefon celular nga brenda autobusit, dhe e trasmetuar nga televizioni serb Blic, tregon momentin kur janë dëgjuar dy kërcitje që vinin nga jashtë automjetit. Për ngjarjen përfaqësuesit e kombëtares serbe folën dhe gjatë konferencës së shtypit që atën në mbrëmje në Tiranë. “Ndodhi një incident i vogël rrugës për në Tiranë. U qëllua me gurë autobusi, por nuk pati ndonjë problem. Reaguan autoritetet dhe gjithshka është në rregull”, deklaroi zëvendës presidenti i federatës serbe Savo Milosevic.

Por në Beograd ngjarja ka marrë përmasa të tjera. Ministria e Jashtme serbe ka përgatitur një notë proteste për “mangësitë e theksuara në masat e sigurisë dhe organizative” në prag të ndeshjes dhe ku kërkohet nga autoritetet shqiptare që “të garantohet siguria e përfaqësuesve të kombëtares serbe dhe të gjenden përgjegjësit e ngjarjes”. Ministria e Jashtme serbe ka thirrur ambasadorin e Shqipërisë në Beograd Ilir Bocka për t’i dorëzuar notën e protestës, por ky i fundit, sipas mediave serbe, ka refuzuar duke e konsideruar ngjarjen si “një incident të parëndësishëm”.

Policia shqiptare ka marrë masa të shumta sigurie si kurrë më parë. Janë 2300 forca policore dhe të njësive speciale që do të jenë të angazhuara. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha një ditë më parë se “forcat e rendit dhe policisë Rrugore në të gjithë Shqipërinë janë tërësisht të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në çdo ambjent publik, si dhe monitorimin e të gjitha akseve rrugore, në të gjithë vendin, por në mënyrë të veçantë në të gjitha akset që të çojnë në Elbasan dhe stadiumin “Elbasan Arena”. Ministri gjithashtu njoftoi se do të monitorohen në mënyrë të rreptë hyrjet në pikat kufitare. “Eshtë shkëmbyer informacion intensiv me partnerët në rajon dhe BE, si dhe me Federatën shqiptare të futbollit, UEFA-n dhe FIFA-n, për hartimin dhe monitorimin e listës së personave të cilët kanë precedentë të mëparshëm për akte të dhunshme ose akte huliganizmi gjatë aktiviteteve sportive”, deklaroi ministri, duke saktësuar se “kjo listë është në dispozicion të Policisë Kufitare dhe të të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit në terren, për moslejimin e hyrjes në Republikën e Shqipërisë, e në rast se kanë hyrë më parë apo jetojnë këtu, për monitorimin konstant, e në të gjitha rastet, për ndalimin e hyrjes në mjediset e stadiumit “Elbasan Arena” dhe mjediset në afërsi. Strukturat e luftës kundër krimit në të gjithë vendin do të jenë të angazhuara për monitorimin dhe ndjekjen e çdo informacioni që mund të cënojë mbarëvajtjen e ndeshjes. Agjentë civilë do të jenë në të gjitha ambjentet ku do të ketë grupime njerëzish dhe tifozësh, në akset rrugore, por edhe brenda stadiumit”.

Kombëtarja serbe do të udhëtojë nesër pasdite drejt Elbasanit dhe rruga kryesore që lidh këtë qytet me Tiranën që prej mesditës do të bllokohet për mjetet e tjera, të cilat do të duhet të përdorin akset e tjera alternative për të mbërritur në qytetin ku do të luhet ndeshja.

Përfaqësuesit e të dyja ekipeve kanë deklaruar se synojnë fitoren. Ndërsa për Serbinë, është më tepër një ndeshje prestigji apo “revanshi” pas humbjes në tavolinë të tre pikëve, për shkak të ngjarjeve të dhunshme në Beograd vitin e shkuar, për Shqipërinë, një fitore, do të ishte një biletë thuajse e sigurtë drejt Europianit të Francës, që do të shënonte dhe pjesmarrjen e saj të parë në histori në nivelet më të larta të futbollit europian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG