Lidhje

Shqipëri-Serbi, projekte të përbashkëta


Takim në Tiranë mes ministrit shqiptar të Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe zëvendëskryeministres serbe Zorana Milajloviç. Të dy vendet do t’i paraqesin Bashkimit europian për financim projekte të përbashkëta të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore

Shqipëria dhe Serbia do të paraqesin projekte të përbashkëta infrastrukturore për të kërkuar nga Bashkimi europian financimin e tyre. Kjo u bë e ditur sot në përfundim të një takimi në Tiranë mes ministrit shqiptar të Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe zëvendëskryeministres serbe Zorana Milajloviç

Ministri Ahmetaj shpjegoi se kjo nismë vjen në kuadër të konferencës së Berlinit për vendet e Ballkanit perëndimor. Ai tha se “do të ketë një grup teknik me përbërje nga të dy vendet i cili do të mund të përcaktojë qartë gjithë specifikat teknike dhe nevojat e projekteve rajonale të zhvillimit. Qëllimi i përbashkët – saktësoi më tej ministri shqiptar - është të paraqitet një dokument dhe një listë e unifikuar projektesh përpara Bashkimit Evropian, e cila të jetë e qartë dhe në funksion të lidhjes dhe zhvillimit rajonal”.

Nga ana e saj zëvendëskryeministrja serbe Milajlovic u shpreh se “ndërlidhja e përbashkët është një instrument për të nxitur rritjen ekonomike të të dy vendeve. Por gjithashtu është dhe një mënyrë që të ecet bashkarisht drejt Bashkimit Evropian. Serbia dhe Shqipëria duan të ecin përpara dhe janë partnerë”, shtoi ajo.

Projektet për të cilat është diskutuar janë ai që do të lidhë autostradën Beograd-Nish me pjesën Prishtinë-Tiranë, i hekurudhës Beograd-Bar-Durrës-Vlorë, autostrada që ka filluar nga Beogradi për në Bar dhe “Autostrada e kaltër” e cila do të duhet të lidhë bregun shqiptar të Adriatikut me atë të Kroacisë.

XS
SM
MD
LG