Lidhje

Shqipëri: Shkollat profesionale tërheqin përherë e më shumë të rinj


Një pjesë e konsiderueshme e shkollës shqiptare po e kthen vëmendjen nga arsimimi profesional i të rinjve. Një projekt i Bashkimit Europian po zbatohet në Qarkun e Durrësit për t’u dhënë profesione një numri të madh të rinjsh, për t’i përshtatur ata me kërkesat e tregut të punës. “Pas suksesit në këtë Qark, projekti mund të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë, duke nxitur të rinjtë që të shohin me realizëm ndryshimin e madh të tregut të punës, të marrin profesione dhe të mos u kushtohen shkollave të përgjithshme me shumë lëndë teorike” - thotë kryetarja e këshillit të Qarkut, Eglantina Begteshi.

Shkolla profesionale “Beqir Çela” në Shkozet pranë Durrësit është aktualisht baza më e madhe e këtyre mjeshtrave të rinj, që mësojnë me themel shumë profesione aq të nevojshme në jetën e përditshme të qytetit. Shkolla ka laboratorë dhe reparte pune për çdo profesion dhe aty mësuesit u tregojnë nxënësve shërbimet teknike të çdo fushe.

Vitin e dytë po e përfundojnë 300 nxënës, ndërsa të rinjtë e vitit të tretë e bëjnë praktikën pranë firmave të ndryshme të biznesit, duke punuar dhe mësuar drejtpërdrejt në prodhim. “Shkolla mban lidhje të forta me biznesin, sepse së shpejti janë firmat private që i punësojnë këta profesionistë të rinj”¬ - thotë drejtori i shkollës, Bashkim Shkëmbi.

Për disa dekada me radhë të rinjtë shqiptarë iu kushtuan shkollave të mesme të përgjitshme, duke lënë të hapur një fushë të madhe zgjedhjesh për studimet universitare dhe duke iu shmangur punëve të vështira. Megjithatë, kërkesat e tregut po bëjnë që edhe sjellja e të rinjve të ndryshojë. Me shkollat profesionale ata marrin shpejt një profilizim dhe bëhen më të aftë për të siguruar një vend pune në këto kohë të vështira me konkurrencë të madhe.

XS
SM
MD
LG