Lidhje

Shoqëria civile mbi arrestimin e Fullanit


Në Tiranë, shoqëria civile u bashkua në një tubim në sheshin para parlamentit për të reaguar lidhur me arrestimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Veprimtarët pohuan se peticioni për shkarkimin e tij po vazhdon me mbledhjen e firmave, sepse ai ende nuk është shkarkuar nga detyra për vjedhjen e 7,2 milionë dollarëve nga Banka. Organizatat joqeveritare po zhvillojnë protesta prej një muaji dhe po mbledhin nënshkrime nga qytetarët në një peticion, që do t'ua dërgojnë institucioneve shtetërore për shkarkimin e zotit Fullani dhe pë rregullimet ligjore, që nevojiten pas këtij skandali.

Veprimtarë të shoqërisë civile u bashkuan sot përsëri në sheshin përpara parlamentit për të deklaruar se po vazhdojnë mbledhjen e firmave qytetare në peticioni për shkarkimin e guvernatorit të Bankës Qendrore Ardian Fullani. Edhe pse ai është arrestuar, veprimtarët pohuan se zoti Fullani është ende guvernator, nuk është shkarkuar dhe nuk ka dhënë dorëheqjen nga detyra.

Veprimtarët e shoqërisë civile të bashkuar kryesisht nga rrjetet sociale prej një muaji po zhvillojnë protesta dhe po mbledhin nënshkrime të qytetarëve në Tiranë dhe qytete të tjera për shkarkimin e guvernatorit. Peticioni deri tani ka mbledhur 14 mijë firma dhe tryezat e nënshkrimeve janë të gjitha të hapura për të mbledhur edhe firma të tjera, ku qytetarët shprehin shqetësimin e tyre për vjedhjen e Bankës.

Qytetarët vazhdojnë të shprehin indinjatën e tyre, duke firmosur peticionin, ku u punua me këmbëngulje, krahas tubimeve protestuese, kundër vjedhjes së të aktën 7,2 milionë dollarëve në 4 vjet. Veprimtarët pohojnë se shumë nga banorët e kanë vlerësuar nënshkrimin e peticionit si shprehje të lirisë së tyre qytetare dhe kërkojnë që drejtësia dhe institucionet t'i shkojnë deri në fund ndriçimit të skandalit, dënimit të fajtorëve, gjetjen e parave të vjedhura dhe kthimit të tyre në Bankë.

Peticioni në fund do t'u dorëzohet institucioneve shtetërore, si një provë e reagimit qytetar ndaj prombleve të vendit. Pas ndalimit të importit të plehrave për riciklim nga jashtë vendit dhe shnangies së lëndëve kimike nga Siria, protestat kundër vjedhjes së Bankës së Shqipërisë janë hera e tretë që shoqëria civile arrin të ndikojë në zhvillime të rëndësishme të vendit, duke shprehur shqetësimin qytetar dhe duke u mbledhur pa angazhime partiake, por vetëm nga rrjetet sociale.

XS
SM
MD
LG