Lidhje

Shqipëri, shumica fton opozitën për bashkëpunim parlamentar


Shqipëri, shumica fton opozitën për bashkëpunim parlamentar

Shqipëri, shumica fton opozitën për bashkëpunim parlamentar

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha deklaroi sot se koalicioni qeveritar do të bëjë çdo gjë që të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, i cili kërkon disa reforma politike.

Zoti Berisha tha në mbledhjen me deputetët se këto reforma u bllokuan nga opozita socialiste me bojkotimin e parlamentit dhe veprime të tjera, duke menduar se dështimet e Shqipërisë mund të ishin në të mirë të ardhjes së saj në pushtet. Ai tha se opozita e dëmtoi vendin me bllokimin e reformave që kërkonin vota të përbashkëta në parlament, por tani nga disa deklarata duket se po braktis bojkotin dhe po u kthehet veprimtarive normale.

“Ne jemi të gatshëm që në frymë dhe në respekt të plotë të ligjeve dhe të Kushtetutës së vendit, të konsiderojmë me seriozitetin më të madh kontributin e saj, propozimin e saj, angazhimin e saj, duke bërë gjithçka për një respekt të plotë dhe rigoroz të çdo hapësire që i takon opozitës në një vend të lirë. Uroj dhe dëshiroj që pakica të heqë dorë përfundimisht nga ideja se ajo mund t’i imponohet shumicës jashtë ligjit dhe jashtë Kushtetutës” - tha ai.

Zoti Berisha tha se një seri reformash maxhoranca mund t’i kryejë së bashku me opozitën, duke filluar nga reforma zgjedhore, ku të ftojnë Komisionin e Venecias dhe ODIHR-in që t’u bashkohen që në fillim grupeve të punës për të përmirësuar Kodin Zgjedhor duke zbatuar rekomandimet e OSBE-së në dy zgjedhjet e fundit.

“Edhe një herë do të garantoj opozitën se mazhoranca është tërësisht e gatshme që secilin nga ato rekomandime, pa përjashtim, bashkërisht t’i shndërrojmë në ligje dhe vendime të lidhura me to, t’i adresojmë ato në interesin më të mirë të Kodit Elektoral, i cili është Kodi më konsensual në historinë e vendit” - tha ai.

Kryeministri Berisha tha se në reformën zgjedhore duhen përfshirë edhe partitë më të vogla, sepse në realitet ato së bashku janë sa një parti kryesore dhe dy partitë e mëdha i përjashtuan ato pa të drejtë nga procesi zgjedhor.

Ai tha se dy partitë e mëdha duhet t’u kthejnë partive të vogla lirinë e pjesëmarrjes në proces dhe të mos u kushtëzojnë apo diktojnë atyre rezultatet e reformës, si ndodhi 3 vjet më parë.

Kjo është qasja që, sipas tij, ka koalicioni qeveritar ndaj reformës zgjedhore; t’u japë hapësirat e mohuara partive të vogla, sepse sistemi propocional është më i përhapuri dhe më i drejti aktualisht në Europë dhe në botë.

XS
SM
MD
LG