Lidhje

Shqipëri: Sondazh mbi demokracinë dhe shtetin ligjor


Shqipëri: Sondazh mbi demokracinë dhe shtetin ligjor

Shqipëri: Sondazh mbi demokracinë dhe shtetin ligjor

Instituti për Studime Ndërkombëtare publikoi sot një sondazh mbi pjekurinë demokracisë shqiptare dhe shtetit ligjor, 20 pas rrëzimit të diktaturës komuniste. Nga anketa që u shtri në mijëra njerëz në 10 qytetet më të mëdha të vendit doli se pas rrëzimit të diktaturës shoqëria shqiptare ka përparuar ndjeshëm në disa nga liritë njerëzore. Për shembull; 75 për qind e qytetarëve mendojnë se liria e shprehjes është e lartë, 80 për qind e tyre shprehen se liria fetare është e lartë, ndësa 80 për qind e të anketuarve shprehen se Shqipëria është një vend demokratik, por 20 për qind mendojnë të kundërtën.

Sipas këtij studimi, qytetarët mendojnë se shteti dhe demokracia shqiptare pengohet nga vetë udhëheqësit e saj. Kështu 35 për qind e të anketuarve mendojnë se problemi kryesor është etja për pushtet e forcave politike, 25 për qind janë politikanët kryesorë të partive të mëdha me mosmarrëveshjet e tyre, dhe 20 për qind shprehen se problem kryesor është mungesa e zgjedhjeve të lira.

Sa i takon ekonomisë - 50 për qind e njerëzve mendojnë se situata ekonomike tani është më e mirë, ndërsa 35 për qind e tyre mendojnë se është e keqe. Madje këta të fundit pohojnë se nuk janë të kënaqur me rrugën që ka marrë ekonomia.

Studimi i Institutit për Studime Ndërkombëtare nxorri se pas 20 vjet demokraci, vetëm 7 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me mënyrën se si rishpërndanë pronat në Shqipëri, ndërsa 70 për qind e të anketuarve nuk janë të kënaqur me rishpërndarjen e pasurive, sepse sipas tyre këtu kanë ndikuar ligjet e këqia, korrupsioni në gjykata dhe nëpër bashki.

Po çfarë mendojnë njerëzit për shtetin ligjor pas 20 vjetësh tranzicion dhe demokraci?

Sipas anketimit, rreth 60 për qind e të pyeturve, mendojnë se ligji në Shqipëri nuk zbatohet, ndërsa 75 për qind shprehen se në vend vazhdojnë veprimtari të paligjshme.

Qytetarët e anketuar për këtë studim pohojnë se ligji nuk zbatohet në shkallë të gjerë, sepse disa grupime të mëdha mendojnë se janë mbi ligjin. Rreth 90 për qind e qytetarëve shprehen se grupimi kryesor mbi ligjin janë politikanët. Pas politikanëve, në grupimet që shkelin ligjet, me 60 për qind të të anketuarve, renditen kriminelat, të pasurit, policët dhe njerëz me lidhje në zyra të pushtetshme.

XS
SM
MD
LG