Lidhje

Shqipëri: Tubim proteste në mbrojtje të “Piramidës”


Shqipëri: Tubim proteste në mbrojtje të “Piramidës”

Shqipëri: Tubim proteste në mbrojtje të “Piramidës”

Disa qindra qytetarë të Tiranës zhvilluan në mbrëmje një tubim proteste kundër vendimit të deputetëve për të rrëzuar ndërtesën e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës dhe për të ndërtuar aty selinë e parlamentit.

Në oborrin e ndërtesës së ashtuquajtur “Piramida”, dikur muze i diktatorit Enver Hoxha, u mblodhën veprimtarë të shoqërisë civile, qytetarë të moshave të ndryshme, të cilët madje nisën edhe nënshkrimin e një peticioni për mbrojtjen e kësaj ndërtese. Organizatorët e tubimit folën për rëndësinë kulturore dhe arkitekturore të kësaj ndërtese, e cila sipas tyre është një projekt i veçantë.

Arkitekti Artan Shkreli foli për vlerat shkencore të projektit të piramidës dhe vendosjes së saj në atë pjesë të kryeqytetit. Oratorë të tjerë theksuan se ky është një nga tubimet e rralla që nuk i organizojnë partitë për politikë, por qytetarët kërkojnë të ruajnë një objekt të qytetit dhe po përpiqen që zëri i tyre të dëgjohet. Ata thanë se tubimi ishte shprehje e vullnetit dhe e dëshirës së qytetarëve për të mos prishur një ndërtesë për të bërë një tjetër, sepse këto janë para që dalin nga taksat e tyre dhe buxheti shtetëror.

Por përfaqësues të maxhorancës hodhën poshtë akuzat, sipas të cilave, projekti është shumë i shtrenjtë. Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha në media se projekti ka kushtuar vetëm pesëdhjetëmijë dollarë. Ai tha se 100 vjetorin e pavarësisë shteti shqiptar duhet të ketë një ndërtesë dinjitoze si parlamentin e vet, sepse ende nuk ka një seli parlamentare, dhe se komisionet dhe sallat aktuale janë shpërndarë në disa ndërtesa.

Ideja për të rrëzuar ndërtesën e muzeut të diktatorit Enver Hoxha lindi në radhët e maxhorancës dy vjet më parë, pikërisht në kohën kur zyrtarët po mendonin për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë.

Kryeministri Berisha tha se edhe sot pas 100 vjetësh shteti shqiptar nuk ka një objekt parlamentar dinjitoz dhe, sipas tij, do të ishte shumë domethënës ndërtimi i tempullit të demokracisë pikërisht në truallin e muzeut të diktaturës.

Piramida është pak metra larg selisë së qeverisë në mes të Tiranës. Ajo u ngrit menjëherë pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha nga pasardhësit e diktatorit për të nderuar kujtimin e tij.

Mjediset e ndërtesës luksoze për ato kohë u mbushën plot me sendet personale të diktatorit që izoloi Shqipërinë, vrau e persekutoi dijetarët shqiptarë dhe kundërshtarët politikë. Ndërtesa pushoi në fakt së qeni Muze qysh në vitin 1992, kur Partia Demokratike fitoi zgjedhjet pas afro 50 vjetësh diktaturë. Ajo u rihap si qendër kulturore apo si qendër panairesh, ndërkohë që në mjediset e saj tashmë vendosur edhe TV Top Channel, një nga mediat më të njohura në vend.

XS
SM
MD
LG