Lidhje

Shqipëri: Tubim proteste për 1 majin


Një grup veprimtarësh të sindikatave shqiptare zhvilluan sot në Tiranë një tubim proteste para selisë së qeverisë për të drejtat e punëtorëve, me rastin e 1 majit, ditës ndërkombëtare të tyre. Sindikatat e minatorëve dhe sindikata të tjera kërkuan paga më të larta dhe kushte më të mira pune, sepse sipas tyre një numër jo i vogël punëtorësh po humbin jetën për shkaqe të thjeshta teknike. Kryetari i sindikatave të minatorëve Kol Nikolli, tha se të drejtat e punëtorëve janë po ashtu në krye të listës së detyrave që ka Shqipëria para se të hyjë në BE.

“Mbi 40 punëtorë kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur gjatë punës në miniera. Qeveria nuk po bën asgjë. Shumë punëtorë janë pushuar nga puna pa arësye bindëse dhe gjykatat nuk u japin atyre të drejtë. Drejtësia shqiptare nuk e mbështet punëtorin. Por Bashkimi Europian ia kërkon deri në një qeverisë shqiptare respektimin e të drejtave të punëtorëve” - thotë ai.

Sindikalistët pohojnë se rritja ekonomike dhe ulja e varfësisë që deklaron qeveria nuk janë reale, sepse nuk ka një shtim të punësimit. Sindikalistët pjesëmarrës në protestë kërkuan më shumë transparencë edhe për privatizimet e ndërrjeve shtetërore ku ata kanë punuar disa dekada me radhë, por tani dyshimet për korrupsion mbizotërojnë në media dhe në opinionin publik. “Korrupsioni ka përfshirë minierat, ndërsa firmat janë zhytur në borxhe. Në këto kushte askush nuk mendon për punëtorët. I kërkojmë qeverisë që të ndërhyjë për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve sipas ligjit” - thotë Taf Koleci, një tjetër sindikalist i njohur.

Sindikatat e minatorëve protestuan disa muaj më parë dhe zhvilluan një grevë urie në galeritë e minierës së Bulqizës duke kërkuar rritje pagash, investime moderne në burime minerare dhe transparencë në menaxhimin e këtyre pasurive të vendit.

Ekspertë të pavarur besojnë se papunësia në Shqipëri është të paktën sa dyfishi i statistikave zyrtare, ndërsa varfëria është në nivele të larta dhe e pastudiuar sa duhet.

Papunësia e lartë dëshmohet, sipas tyre, edhe nga emigracioni i konsiderueshëm i shqiptarëve nga qyteti dhe nga fshati. Autoritetet ende nuk kanë deklaruar sa është minimumi jetik i jetesës në Shqipëri, e cila duhet të jetë hapi i parë i një programi pune për uljen graduale të varfërisë - thonë ata. - Politikat e qeverisë kundër varfërisë janë politika pasive. Ato nuk e luftojnë varfërinë, sepse nuk hapin vende të reja pune, sidomos për të rinjtë.

XS
SM
MD
LG