Lidhje

Vota e parë për 180 mijë të rinj, nxënësit në leksion demokracie


shqiperi-votimet-18vjecaret
shqiperi-votimet-18vjecaret

Këshilli i Europës zhvilloi sot fazën e fundit të një fushate 6 mujore në të gjithë Shqipërinë për të ndërgjegjësuar të rinjtë e shkollave që votojnë për herë të parë

Këshilli i Europës zhvilloi sot fazën e fundit të një fushate 6 mujore në të gjithë Shqipërinë për të ndërgjegjësuar të rinjtë e shkollave që votojnë për herë të parë. Në bashkëpunim me ministrinë e arsimit dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Këshilli i Europës e zhvilloi këtë fushatë në 350 shkolla të mesme në 12 qarqe, nga 384 që ka gjithsej Shqipëria, duke shtuar orë të posaçme mësimore për demokracinë, praktika mbi procesin konkret të votimit dhe rëndësinë e votimit për personin dhe komunitetin. Sipas statistikave zyrtare, mbushin moshën e votimit dhe votojnë për herë të parë mbi 180 mijë shtetas, një numër i konsiderueshëm qytetarësh të rinj që mund të nxjerrë një numër po aq të madh kandidatësh.



Shefi i zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Z. Marco Leidekker, doli vetë sot në terren për t’u shpjeguar maturantëve në një shkollë të kryeqytetit se e drejta e votës është një mundësi për të përmirësuar jetesën e tyre në shoqëri. “Ne duam t’u tregojmë votuesve të herës së parë mundësitë që kanë kur votojnë për herë të parë. Të votojnë në privatësi, sipas ligjit, dhe nga ana tjetër të bëjnë të lirë zgjedhjen e tyre, të shprehin mendimin e tyre, sepse ata janë qytetarë të Shqipërisë. Pra, duhet të bëjnë një zgjedhje të pavarur. Ne duam që të ketë një pjesëmarrje sa më të lartë në votime, dhe secili votues të zgjedhë partinë që dëshiron me ndërgjegje dhe pa presione apo ndikime” - thotë ai.

Kjo fushatë po kryhet prej 6 muajsh nga Akademia e Studimeve Politike, një program i Këshillit të Europës, duke trajnuar mbi 350 mësues, dhe këta kanë mësuar mbi 50 mijë nxënës maturantë rreth procesit të votimit dhe rëndësisë që ka pjesëmarrja për herë të parë në zgjedhje nga të rinjtë, sipas drejtuesit të kësaj akademie, Erjon Tase.

Në listat e zgjedhësve të Shqipërisë gjenden emrat e 3,270,936 votuesve, të publikuara në 5,506 qendrave të votimit në çdo njësi të qeverisjes vendore. Opozita ka shprehur dyshimet për saktësinë e listave të votuesve, por zyrtarët kanë deklaruar se asnjë shtetas nuk mund të votojë dy herë, identiteti i tyre është i kompjuterizuar në sistem qendror. Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë çdo herë rreth 60 për qind, dhe kjo vlerësohet si një pjesëmarrje e lartë, kur hiqen edhe pjesa e emigrantëve që mbeten formalisht në lista, sepse shumë nga ata nuk janë këtu për votime, madje edhe fëmijët e tyre shtohen formalisht në listat e votuesve kur mbushin 18 vjeç, ndonëse janë integruar në jetën e shteteve të tjerë.
XS
SM
MD
LG