Lidhje

Mbyllet numërimi i votave: PS merr 84 mandate

  • Ilrian Agolli

Kryeministri Berisha deklaron se është përgjegjësi kryesor i kësaj humbjeje dhe se jep dorëheqjen nga detyra e kryetarit të PD

Shqipëria mbylli mbrëmë pas 3 ditësh numërimin e votave, nga ku aleanca e Partisë Socialiste mori 84 mandate deputetësh përballë PD me 56 mandate.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se ai ishte përgjegjësi kryesor i kësaj humbjeje, dhe se jepte dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Partisë Demokratike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi në mbrëmje mbylljen e numërimit të votave në të gjithë vendin, me të cilat dalin për në parlamentin e ri 84 mandate për koalicionin e majtë dhe 56 për koalicionin e djathtë. Qendra e fundit që u numërua ishte në Tiranë pas më shumë se 3 ditë e gjysmë. Kryeministri Sali Berisha pranoi rezultatet e zgjedhjeve, duke u thënë përkrahësve të djathtë se paraqitën një projekt të mirë zhvillimi, por kundërshtarët e majtë dhanë premtime që PD nuk mund t'i bënte dot.
Ne i humbëm këto zgjedhje. Dhe për këtë humbje e gjithë përgjegjësia bie vetëm mbi një njeri; vetëm mbi mua, Sali Berishë. Me këtë rast, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve, uroj kundërshtarit fituesit të zgjedhjeve mbarësi në detyrën e tij të lartë. Dhe uroj që qytetarët shqiptarë të gëzojnë një jetë gjithnjë e më të mirë” deklaroi zoti Berisha.
Një ditë më parë edhe kryetari i PS Edi Rama, uroi kryeministrin Berisha në fjalimin e tij të fitores para përkrahasve të majtë.
Sonte unë dua ta falenderoj paraardhësin tim për çdo gjë të mirë që historia mbase mund ta vlerësojë nesër me një objektivitet më të madh se timin sot dhe i uroj gjithë të mirat në jetën e tij private në vazhdim” - tha zoti Rama.
Humbja e këtyre zgjedhjeve e shtyu kryeministrin Sali Berisha të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, por ky, sipas tij, nuk ishte një fjalim lamtumire.
Në një vendim të prerë kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funskionet e mia në funskionet e Partisë Demokratike, të jem thjesht njëri prej jush, anëtar i Partisë Demokratike dhe deputet i saj, të punoj me përkushtim të madh së bashku me ju dhe me lidershipin e ri për të mbrojtur e promovuar si opozitë vlerat dhe parimet themelore të programit tonë për ta shndërruar atë përsëri në një program të shumicës së shqiptarëve” - tha zoti Berisha.
Përkundër dëshpërimit tek selia e PD-së, një natë më parë në oborrin e selisë së PS-së Edi Rama festoi fitoren me përkrahësit e tij, duke e quajtur këtë ngjarjen më të bukur të jetës.
Ky është momenti më krenar i jetës time. Midis krenarisë që ndjej për veten dhe përulësisë që ndjej prej besimit të jashtëzakonshëm që keni investuar tek unë, fiton thellë përulësia. Unë do të jem kryeministri juaj por edhe shërbëtori juaj. Deytra do të jetë e imja, pushteti do të jetë i juaji” - tha zoti Rama.
Në fjalimin e tij të mbrëmshëm zoti Berisha u shpjegoi antarëve të PD-së se ndërrimi i pushteteve me votim të lirë është pjesë e demokracisë dhe se partia e tyre mund të jetë përsëri shumicë në Shqipëri.
Sot jemi të mërzitur dhe ne vërtet kemi humbur një betejë. Por alternimi i pushtetit me votën e lirë është parimi themelor i demokracisë që ne vlerësojmë më shumë. Parimi që ne sollëm në Shqipëri me themelimin e Partisë Demokratike – alternanca është jetike për demokracinë. është e domosdoshme për të qëndruar më të vendosur më të bashkuar se kurrë. Detyra shumë të mëdha na presin për të shndërruar çështjen tonë të drejtë në çështjen e shumicës së shqiptarëve” - tha zoti Berisha.
Të dyja palët po ndihmojnë një kalim të pushtetit sa më të qetë nga një parti tek tjetra. Pjesë e kësaj përpjekje duket se është edhe deklarata e zotit Rama se qeveria e re do të kujdeset për të gjithë njëlloj.
Pjesë e kësaj sfide është që asnjë zgjedhës i palës tjetër të mos ndihet keq. Asnjë rrogëtar që i shërben këtij shteti falë meritës së tij të mos ndihet i kërcënuar... të meritojnë respektin tonë” - tha ai.
Zoti Rama tha se ndryshimi i Shqipërisë nuk do të vijë kollaj dhe brenda natës, por kërkon sakrifica nga të gjithë. Ndërkaq ai duhet të presë shtatorin kur do të mblidhet parlamenti i ri për të votëbesuar qeverinë e re, e deri atëherë punët do t'i vazhdojë qeveria aktuale, e cila madje ka njoftuar një mbledhje mesditën e sotme.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara publikoi pas fjalës së zotit Berisha një deklaratë, ku ai vlerësohej për mbështetjen e marrëdhënieve të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Në deklaratë theksohet po ashtu se pas formimit të një qeverie të re, SHBA nxisin udhëheqësit dhe zyrtarët shqiptarë të riangazhohen ndaj procesit të integrimit europian dhe reformave të tjera që nevojiten.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG