Lidhje

Shqipëri, të paktën 12 të vdekur nga aksidenti në Himarë


Aksident automobilistik në Shqipëri
Aksident automobilistik në Shqipëri

Nje aksident i rëndë rrugor ndodhi sot pasdite në Shqipëri, në zonën e Himarës në jug të vendit, kur një autobus me 32 studentë, të gjithë vajza, të Universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan ka rënë në një greminë nga një lartësi prej afër 80 metra. 12 persona humbën jetën, mes të cilëve dhe shoferi i mjetit, ndërsa një nga studentet humbi jetën ndërsa transportohej drejt Tiranës me helikopter.

Banorë të zonës dhe më pas njësi të zjarrfikësve dhe të policisë mbërritën në vendngjarje për të ndihmuar të aksidentuarit, të cilët u dërguan fillimisht në spitalin e Himarës. 11 prej tyre, në gjendje të rëndë gjenden tani në spitalin Ushtarak në Tiranë. Për dy prej tyre, mjekët shpjegojnë se situata është kritike. Pjesa tjetër e të plagosurve është dërguar në spitalin e Vlorës. Sipas disa dëshmive të të mbijetuarve shoferi i autobusit po ecte me shpejtësi të madhe në momentin e aksidentit.

Të gjithë strukturat shtetërore u angazhuan me shpejtësi menjëherë pas ngjarjes. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, ai i Shëndetësisë Petrit Vasili dhe kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli shkuan në Himarë. Nga Shtetet e Bashkuara, kryeministri Sali Berisha duke shprehur dhimbjen për jetët e humbura i kërkoi ministrit të Shëndetësisë që të merren të gjitha masat për t’i ofruar shërbimet e specializuara studenteve të plagosura, qoftë duke i dërguar edhe jashtë vendit. Qeveria shqiptare me urdhër të kryeministrit ka shpallur zi kombëtare për ditën e nesërme.

Në spitalin Ushtarak ishte edhe presidenti Bamir Topi, i cili foli për një tragjedi të madhe. Edhe kryetari i opozitës Edi Rama vizitoi të plagosurat ndërsa më pas së bashku me deputetë të tjerë dhuruan gjak pranë këtij spitali. Zoti Rama foli për një moment jashtëzakonisht dramatik.

Ngjarja ka shokuar të gjithë opinionin. Njerëz të shumtë janë mbledhur pranë spitaleve në Himarë, ku ndodhen truipat pa jetë të viktimave, por edhe në spitalin Ushtarak në Tiranë ku po kurohen të plagosurit në gjendje të rëndë. Qytetare te shumte jane paraqitur vullnetarisht per te dhene gjak. Në Elbasan, pranë Universitetit Aleksandër Xhuvani, studentë të shumtë janë grumbulluar duke ndezur qirinj në shkallët e hyrjes qëndrore të godinës.

XS
SM
MD
LG