Lidhje

Shqipëria dhe sfidat e saj


Shqipëria e gjen sot veten në një moment të rëndësishëm të historisë së saj, ndërsa po përpiqet të hyjë në klubin elitar të vendeve perëndimore evropiane. Por ndërsa për çështjet e sigurisë, politikës së jashtme dhe rolit të saj të shtuar në rajon, që pas shpalljes së pavarsisë së Kosovës, ajo ka bërë hapa të mëdhenj pozitivë, problemet e brendshme vazhdojnë ta mbajnë këtë vend ende larg synimeve të tij.

Zhvillimet në Shqipëri, sfidat dhe arritjet e saj ishin në qendër të një diskutimi që u zhvillua në Uashington me pjesëmarrjen e analistëve të njohur të çështjeve shqiptare.

Vlerësimi për Shqipërinë ishte i dyfishtë, ndërsa politika e saj e jashtme dhe roli në rajon vlerësohen si pozitivë, nuk mund të thuhet e njejta gjë për politikën e brendshme, që sipas vëzhguesve, është problemi kryesor që frenon zhvillimin e vendit.

Doktor Elez Biberaj, drejtor i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës dhe njohës i mirë i çështjeve shqiptare thotë se, në dallim nga politika e brendshme, në politikën e jashtme, partitë shqiptare kanë mbajtur përherë të njejtin qëndrim.

“Përsa i takon politikës së jashtme ka patur një konsensus të pashembullt mes aktorëve kryesorë politikë të vendit. Qëndrimet e PD-së dhe të PS-së, që kanë patur pushtetin në Shqipëri pas rënies së komunizmit, nuk kanë ndryshuar shumë nga njera tjetra”.

Luftrat në Ballkan e ritën ndjeshëm rolin e Shqipërisë në rajon dhe fitorja e pavarësisë së Kosovës, sipas zotit Biberaj, ka çuar në shtimin e ndjenjave pan-shqiptare në Ballkan, ndonëse jo në veprime konkrete për bashkim kombëtar.

“Shumica e shqiptarëve duket se mbështesin qëndrimin pro-perëndimor për të ardhmen. Shumica mendojnë se përfitimet nga integrimi Euro-Atlantik dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal janë më të mëdha se përfitimet e mundshme nga ndjekja e politikave të bashkimit dhe ndryshimi i kufijve ekzistues.”

Kjo politikë e moderuar e Shqipërisë në Ballkan është shoqëruar me mbështetjen e madhe që i është dhënë Tiranës, si nga Uashingtoni edhe nga Brukseli. Problemet me Shqipërinë, sipas analistëve, lidhen me politikën e saj të brendshme. Doktor Daniel Serwer, ish zyrtar i Departamentit të Shtetit dhe tani profesor i menazhimit të konflikteve në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike, thotë se marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët janë më të mira, se sa marrëdhëniet e saj të brendshme.

“Roli në rajon është pozitiv, ka marrëdhënie përgjithësisht të mira me fqinjët, kjo është një arritje e madhe, që shumë nga ne, nuk e parashikonin në 1995. Por ka probleme. Problemet e Shqipërisë janë mbi të gjitha të brendshme. Politika është e ashpër, shpesh e dhunshme, administrata publike e dobët, ekonomia vuan nga korrupsioni e krimi i organizuar, dhe sistemi ligjor nuk është funksional.”
...marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët janë më të mira se sa marrëdhëniet e saj të brendshme ...
Dan Serwer, Qendra SAIS...


Këto probleme të vjetra dhe të njohura për Shqipërinë, thotë analisti, pritet të zgjidhen gjatë procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, proces për të cilin Shqipëria është tepër e angazhuar.

Faktori i vetëm, që do ta bënte Shqipërisë të largohej nga kjo rrugë zhvillimi, tha zoti Serwer, do të ishin marrëdhëniet e saj me shqiptarët e tjerë në rajon. A do të pranonin shqiptarët të jetonin në 6 shtete, apo do të kërkonin ndryshime kufijsh, gjë që do të kundërshtohej ashpër si nga Uashingtoni edhe nga Brukseli, thotë ai.

Ambasadori i Shqipërisë në Uashington Gilbert Galanxhi, thotë se ky shqetësim nuk ekziston, pasi Shqipëria sot po ndjek shembullin e demokracive perëndimore.

“Përsa i përket idesë së Shqipërisë së Madhe që u përmend këtu, mendoj se shqiptarët janë mjaft vizionarë dhe unë nuk e shoh këtë si shqetësim, pasi për herë të parë në historinë moderne të 100 vjetëve të fundit, ata e gjejnë veten politikisht, së bashku me udhëheqjen e tyre, në anën e duhur të historisë.”

Shqipëria, tha ai, po punon sot për të thelluar më tej bashkëpunimin rajonal, pasi kjo do të sillte një zhvillim më të madh ekonomik.

“Ne nuk mund t’u japim nxitje zhvillimeve ekonomike, nuk mund të tërheqim investime të drejtëpërdrejta, nuk mund të lehtësojmë tregëtinë e lirë, në se nuk kemi një strategji të përbashkët si rajon. Kjo është ajo që unë e shoh si një pikë të dobët të një shtylle të rëndësishme marrëdhëniesh, asaj të bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, midis vendeve të rajonit dhe Shteteve të Bashkuara.”



Shtetet e Bashkuara shihen si vendi perëndimor me ndikimin më të madh në Shqipëri dhe pritshmëria për ndihmën e Shteteve të Bashkuara është po kaq e madhe. Por ish ambasadorja amerikane në Shqipëri Marisa Lino, thotë se ndryshimet duhet të vijnë në radhë të parë nga vetë brenda shoqërisë.

“U përmend se si Shqipëria duhet të ketë ndihmë nga perëndimi për zgjidhjen e disa prej problemeve të saj të brendshme. Unë nuk jam dakort. Ndryshimet duhet të vijnë nga vetë brenda Shqipërisë. Po të marrim si shembull çështjen e korrupsionit, apo të krimit të organizuar, Shtetet e Bashkuara vetë, para një shekulli, kishin probleme të mëdha me krimin e organizuar, por u deshën disa njerëz të guximshëm që t’i kundërviheshin krimit të organizuar. Nevoja për reformë duhet të vijë nga brenda.”

Zonja Lino, e cila ka shërbyer si ambasadore në Shqipëri gjatë periudhës së trazuar, që pasoi rënien e skemave piramidale, thotë se roli i ambasadorit amerikan në Shqipëri është që të avancojë interesat e Shteteve të Bashkuara.

“Roli i duhur i Shteteve të Bashkuara në çdo vend, është në radhë të parë të mbrojë interesat e veta. Dhe interesat amerikane në Shqipëri, janë që aty të ketë një shoqëri pluraliste, demokratike, që funksionin relativisht mirë me një ekonomi të mirë. Si ambasadore, synoja të isha e barabartë me të gjitha palët. Por perceptimet e vetë shqiptarëve, ishin ndryshe, jo gjithmonë më konsideronin si të tillë. Në fund kur u largova, në ceremoninë e lamtumirës munguan udhëheqësit e të dy partive kryesore politike. U ndjeva që kisha qënë e barabartë me të dy.”

Forumi u drejtua nga Janush Bugajski analist i lartë pranë Programit Evropian të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG