Lidhje

Shqipëria dënoi sulmin terrorist ndaj shtypit në Paris


Autoritetet më të larta shtetërore, politike dhe shoqërore të Shqipërisë dënuan sot me një seri deklaratash publike sulmin terrorist kundër gazetës “Charlie Hebdo” në Francë, ku humbën jetën të paktën 12 persona. Presidenti Bujar Nishani ngushëlloi presidentin francez Francois Hollande, duke theksuar se populli shqiptar është pranë popullit francez në këto çaste të vështira. “Jam tërësisht i shokuar nga atentati i sotëm terrorist. Ky akt barbar e i patolerueshëm terrorist ndaj shtypit e fjalës së lirë, na bën edhe më të ndërgjegjshëm e më solidarë për intensifikimin e luftës sonë të përbashkët kundër terrorizmit” - shkroi Presidenti Nishani.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dënoi ashpër sulmin terrorist përmes një deklarate, ku shprehu ngushëllimet më të sinqerta për viktimat e kësaj ngjarjeje. “Ne dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt barbar ndaj gazetarëve, oficerëve të policisë dhe të lënduarve të tjerë në këtë ngjarje. Kjo masakër dhe ky akt është një nëpërkëmbje arrogante ndaj çdo vlere njerëzore dhe një sulm i ulët e i dënueshëm nga çdo normë morale, fetare e universale”. Sipas deklaratës, terrori nuk mund të jetë kurrë pjesë e ndonjë arritjeje apo shpëtimi, terrori nuk prodhon veçse kaos e ligësi. Ai merr jetë njerëzish të pafajshëm dhe është një goditje kundër vlerave demokratike universale dhe vlerave njerëzore. “Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u shpreh edhe një herë ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe mbarë popullit francez, si dhe i uron shërim të shpejtë të lënduarve. Ne bashkohemi me dhimbjen e tyre dhe urojmë që drejtësia të veprojë sa më shpejt,”- deklaroi Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

Kryetari i parlamentit Ilir Meta dënoi sulmin ndaj gazetës “Charlie Hebdo” në Francë, duke cilësuar atë si një akt shumë të rëndë terrorist. Sipas tij, akti terrorist kundër qytetarëve të pafajshëm dhe për më tepër kundër medias së lirë kërkon ndëshkim maksimal të autorëve dhe frymëzuesve të tyre. “Demokracia perëndimore, toleranca e bashkëjetesa mes të ndryshmëve në origjinë, bindje apo dhe përkatësi fetare dhe liria e fjalës, janë institucione në themel të së sotmes dhe të ardhmes evropiane dhe ato nuk mund të kërcënohen e shantazhohen nga asnjë ndërhyrje nga jashtë. Shqipëria gjen rastin të shprehë bindjen e saj të pandryshuar dhe rreshtimin e saj të hershëm në koalicionin e madh demokratik kundër terrorizmit dhe terrorit të të gjitha ngjyrave” - tha zoti Meta.

Kryeministri Edi Rama dënoi sulmin terrorist në gazetën satirike “Charlie Hebdo”, duke shprehur solidaritetin e tij me popullin francez. “Çfarë dhunimi për Francën e lirisë barazisë, vëllazërimit kasaphana mbi redaksinë e gazetës së famshme satirike! Trishtim, solidaritet, revoltë”. Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë deklaroi se ky akt i rëndë terrorist tronditi popullin francez dhe gjithë komunitetin e medias botërore, dhe se “asgjë nuk mund të justifikojë sulmin ndaj fjalës së lirë”. Ministri Ditmir Bushati deklaroi se “Republika e Shqipërisë bashkohet me dhembjen e popullit francez dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe autoriteteve franceze”.

Partia Demokratike dënoi aktin terrorist në Francë, duke i quajtur thellësisht tronditëse sulmin dhe vrasjet që ndodhën sot në Paris. “I dënojmë me ashpërsinë më të madhe këto akte terroriste dhe i përcjellim ngushëllimet më të ndjera për jetët e humbura” - deklaroi Partia Demokratike, duke theksuar se qëndron përkrah Francës e aleatëve në luftën kundër terrorizmit dhe në mbrojtjen e lirisë dhe fjalës së lirë.

Avokati i Popullit Igli Totozani shprehu dhimbjen dhe solidaritetin me familjet e viktimave të sulmit dhe mbështetjen për popullin dhe autoritetet franceze në këtë çast të vështirë të kësaj tragjedie. “Demokracia franceze, liria e fjalës dhe e mendimit si dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë asete mjaft të vyera, të cilat nuk mund të cënohen nga askush dhe por janë simbol dhe udhërrëfyes për të gjitha vendet me demokraci të brishtë” - theksoi zoti Totozani.

XS
SM
MD
LG