Lidhje

Shqipëria dhe teknologjitë kompjuterike


Programi TEDx Tirana zhvilloi sot konferenca me përfaqësues komunitetesh nga më të larmishmet, për të ndihmuar shkëmbimin e përvojave profesoniale. Midis shumë folësve të tjerë, mjekë, muzikantë, sociologë, në konferencat e TEDx ishte ftuar edhe Donald Leka, themelues dhe drejtues i kompanisë Transmedia. Ai paraqiti në këtë konferencë produktin e ri, Jumptuit. Është fjala për teknologjinë e kryqëzimit të platformave, e cila i ndihmon njerëzit të zhvendosin shpejt dhe thjesht të dhëna nga një pajisje elektronike në tjetrën, edhe pse ato nuk përshtaten mes tyre.
Shumë njerëz përballen sot me problemin e copëzimit të të dhënave nëpër pajisje dhe kompjutera të ndryshëm. Për këtë zoti Leka krijoi një platformë që përshtatet me të gjitha formatet e pajisjeve.

"Në këtë fushë është bërë një përparim shumë i madh. Shqipëria po përgatitet për 4G dhe ka një sistem 3G shumë të mirë, interneti është zhvilluar dhe përhapur shumë jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera kryesore. Shqipëria ka tashmë një brez të ri inxhinierësh kompjuterikë që janë shumë të zotë. Produktin e ri do ta shfaqim së bashku me shumë të rinj të tjerë arkitektë, projektues. Mendoj që është një përvojë shumë e mirë për këdo. Shpresoj që të gjithë këto të ecin mirë, sepse kjo është e ardhmja për gjithë botën dhe kjo është e ardhmja edhe për Shqipërinë. Shqipëria mund të bëhet lider i teknologjisë në Ballkan," - thotë Donald Leka.

Produktet e reja komjuterike që ndërton zoti Leka i ndihmojnë njerëzit të përmirësojnë jetën e tyre, me pajisje të dobishme dhe të efektshme. Ai mendon se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të bëjë tani një kapërcim cilësor në këtë fushë, njëlloj si në SHBA apo shtetet e tjera. Përdorimi i shpejtë i informacionit sjell bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet bizneseve. Qeveria dhe qytetarët komunikojnë më shpejt midis tyre. Në këtë mënyrë kompjuteri e ndihmon shoqërinë në të gjitha fushat, teknologjitë e reja sjellin zhvillim edhe në Shqipëri.

"Kam qenë në Shqipëri në shkurt 1991, kur njerëzit nisën të ndryshonin jetën e tyre Ishte një kohë e jashtëzakonshme. Unë atëherë kisha vetëm një aparat fotografik. Këtu në Tiranë askush nuk kishte si tani telefona, Iphone, android, tableta, mobil phone etj. Brenda pak vitesh Shqipëria i ka kapur të gjitha këto. Para se të vija këtu, i pashë ato foto. E mrekullueshme të shikosh që përvjetorët e asaj kohe të vështirë tashm
ë po bëhen me pajisje elektronike. Kjo është shenja më e mirë për progresin e madh që vendi ka bërë," - thotë zoti Leka.

Donald Leka është themelues dhe drejtues i kompanisë Transmedia, krijues i një platforme kompjuterike, Glide OS. Ai ka mbajtur mësime në shkollën e Harvardit për biznes, Institutin e Masaçusets për Teknologji (MIT), në universitetet e Nju Jorkut dhe të Bostonit, dhe në Universitetin Amerikan. Për të kanë shkruar shumë gazeta dhe revista amerikane. Por edhe pse një njujorkez i suksesshëm, ai asnjëherë nuk harron të theksojë se prindërit e tij janë shqiptarë dhe se ai është djali i Agim Lekës, një doktori të njohur nga Shqipëria.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG