Lidhje

Shqipëria kërkon hetime të kujdesshme në Maqedoni


Tirana zyrtare reagoi sot lidhur me ngjarjet e fundit në Maqedoni. Ministri i jashtëm i Shqipërisë Edmond Haxhinasto ngushëlloi familjet e pesë shtetasve maqedon që u gjetën të vrarë, dhe theksoi se është e nevojshme ruajtja e qetësisë nga të gjithë faktorët.

Zoti Haxhinasto tha se hetimi i plotë i kësaj ngjarjeje dhe nxjerrja e fajtorëve para ligjit do t’u presë rrugën keqinterpretimeve dhe manipulimeve politike.

Qeveria shqiptare dekaroi sot se hetimi i plotë i 5 vrasjeve në Maqedoni duhet të bëhet në një atmosferë të qetë. Ministri i jashtëm, Edmond Haxhinasto, tha se Tirana zyrtare po i ndjek me shumë vëmendje të zhvillime; ai shprehu ngushëllime familjeve të qytetarëve, që janë gjetur të vrarë në Maqedoni.

“Në këto momente është e nevojshme të ketë një qetësi nga ana e të gjithë faktorëve. Është e rëndësishme t’i japim mundësi hetimit të plotë të kësaj çështjeje dhe të mos lejojmë aspak të bëhen keqinterpretime, apo manipulime politike e mediatike përsa i takon kësaj ngjarje. Kërkohet një hetim i plotë dhe pas hetimit, fajtorët të vihen para ligjit” - tha ai.

Ministri Haxhinasto foli edhe për gjendjen në veriun e Mitrovicës, duke kërkuar uljen e tensioneve. “Veriu i Mitrovicës, gjithashtu është një situatë, të cilën ne po e ndjekim. Rritja e tensioneve nuk i shërben askujt. Sigurisht jemi gjatë një procesi zgjedhor në Serbi dhe uroj që këto tensionime të mos jenë në funksion të zhvillimeve zgjedhore atje” - tha ai.

Zoti Haxhinasto tha se çështja e të drejtave të shqiptarëve, është çështja madhore, kryesore e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Krahas në rajon, Maqedoni e Kosovë, Shqipëria është duke biseduar edhe me Greqinë që të zgjidhen problemet e komunitetit çam. Sipas tij, janë duke u bërë përpjekje maksimale për t’u gjetur zgjidhje të drejtave të tyre të pronësisë dhe të lëvizjes së lirë; gjithë të drejtat e tyre legjitime. Tirana zyrtare vlerësohet shpesh për rolin e saj në shërbim të paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG