Lidhje

Kombëtarja e Shqipërisë bën historinë

  • Armand Mero

Albania Soccer Euro 2016

Albania Soccer Euro 2016

Futboll, me fitoren e mbrëmshme në Armeni, skuadra shqiptare siguron kualifikimin për në europianin Francë 2016. Festime në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni

E gjithë Shqipëria festoi mbrëmjen e djeshme fitoren e kombëtares së saj të futbollit ndaj Armenisë, e cila solli kualifikimin historik në finalet e Europianit Francë 2016. Për herë të parë futbolli shqiptar bëhet pjesë e ngjarjes më të rëndësishme në nivel europian të këtij sporti.

Kombëtarja shqiptare e drejtuar nga tekniku italian Gianni De Biasi fitoi 3-0 ndaj Armenisë në fushën e kësaj të fundit, duke siguruar në këtë mënyrë vendin e dytë në grup. Ndeshja nisi me autogol nga një mbrojtës armen në minutën e 10 dhe pjesa e parë u mbyll me një gol tjetër nga shqiptari Gjimshiti. Në pjesën e dytë Sadiku shënoi golin e tretë, duke sjellë siguritë e plota që ekipi shqiptar i futbollit u kualifikua për herë të parë në një kampionat europian.

Fitorja me Armeninë fashiti mërzinë e opinionit sportiv për humbjen e Shqipërisë përballë Serbisë në Elbasan. Heshtja dhe protestat për atë humbje ia la vendin festimeve që nisën në kryeqytetin shqiptar, megjithë shiun e rrëmbyer, e që u përhapën me shpejtësi në të gjitha qytetet. Kudo makina dhe njerëz të shumtë me flamujt dhe simbolet kombëtare pushtuan sheshet dhe rrugët, të shoqëruara nga bori, thirrje gëzimi e këngë patriotike apo fishekzjarre. Në Elbasan, aty ku kombëtarja luajti ndeshjet e saj, për tifozët u hapën dyert e stadiumit.

Të njejta skena festimesh u zhvilluan dhe në Prishtinë, e qytetet të ndryshme në Kosovë, apo dhe Maqedoni ku shqiptarët ju bashkuan gëzimit për kualifikimin e kombëtares.

“Eshtë një lumturi e madhe, sepse arritën të realizonim një ëndërr që as nuk mendohej”, deklaroi nga Armeni trajneri De Biasi. Ai tregoi se përpara ndeshjesh lojtarët ishin shumë nervozë. “Para se të hynin në fushë u thashë: Të luajmë deri në fund. Jemi më të fortë se ata. Deri tani keni bërë gjëra të jashtëzakonshme, prandaj lë të cojmë në shtëpi fitoren”, rrëfeu De Biasi. Për kapitenin e ekipit, Lorik Cana, i cili shpërtheu në lot në përfundim të ndeshjes kualifikimi “është një ëndërr që u bë realitet”. Ndërsa presidenti i Federatës shqiptare të futbollit Armando Duka foli për “një kualifikim të merituar. Kjo kuadër besoi deri në fund. Ka qenë një edicion i jashtëzakonshëm”, deklaroi zoti Duka.

Kualifikimi historik I kombëtarës së Shqipërisë u përshëndet dhe nga drejtuesit kryesorë politikë të vendit, ndërsa Presidenti Bujar Nishani, që mbrëmë njftoi vendimin për të nderuar ekipin me titullin “Nderi i Kombit” me motivacionin “Në vlerësim të arritjes historike të kualifikimit për në fazën finale të Kampionatit Europian ‘Francë 2016’, për rezultatet e shkëlqyera sportive që mundësuan këto fitore si dhe për lartësimin e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë duke na bërë më krenarë e të bashkuar se kurrë”.

Kombëtarja shqiptare do të kthehet nesër në mesditë në atdhe, ku parashikohet t’I rezervohet një pritje madhështore nga tifozët e shumtë. Ekipi shqiptar arriti të mblidhte pikë të rëndësishme në grupin jo të lehtë përballë Portugalisë, Danimarkës, Serbisë, dhe Armenisë, duke e renditur e dyta. Kualifikimi I saj zuri vend thuajse në të gjitha mediat e rëndësishme europiane, të cilat nënvizonin faktin e pjesmarrjes së saj për herë të parë në një finale europiani, e duke quajtur këtë “historike” për kombëtaren e Shqipërisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG