Lidhje

Shqipëria rishikon strategjinë e sigurisë kombëtare


Shqipëria rishikon strategjinë e sigurisë kombëtare

Shqipëria rishikon strategjinë e sigurisë kombëtare

Shqipëria bëri të ditur se ka nisur rishikimin e strategjisë së sigurisë kombëtare në përputhje me dokumentat e reja të NATO-s në këtë fushë. Konferenca kombëtare që u organizua sot trajtoi disa nga elementet kryesore të kësaj strategjie që lidhen me rreziqet ndërkombëtare të terrorizmit dhe krimit të organizuar që ndryshon formë në mënyrë të vazhdueshme.

“Format e reja të terrorizmit, sulmet kibernetike, kërcënimet për sigurinë energjitike, kërcënimet nga përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, raketat balistike, pirateria, rreziqet që vijnë nga shtetet e dështuara apo në dështim, si dhe rreziqet e sigurisë nga ndryshimi i klimës, fatkeqësitë natyrore etj. janë vetëm disa prej sfidave të reja apo elemeneteve të rinj që ne do të shtojmë në këtë dokument. Të gjitha këto janë parashtruar edhe në dokumentin e ri strategjik të NATO-s” - tha zëvendës-ministrja e jashtme, Edit Harxhi.

Ajo theksoi se Aleanca Veri-Atlantike dhe disa nga anëtarët më të mëdhenj të saj e kanë kryer tashmë rishikimin e këtij dokumenti, po ashtu po bën edhe Shqipëria si anëtare me të drejta të plota. “Gjeostrategjia e Republikës së Shqipërisë synon të ruajë dhe të sigurojë e të çojë përpara interesin shtetëror dhe kombëtar bazuar në angazhimin dhe ndërveprimin në botën e jashtme për të krijuar një klimë sa më të sigurtë në rajon dhe më gjerë, në mënyrë që t’i jepet liri dhe hapësirë institucioneve të vendit në arritjen e objektivave të zhvillimit të brendshëm. ” - tha zonja Harxhi.

Ndërsa zëvendës-ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Deborah Jones tha në konferencë se strategjia e sigurisë kombëtare është një dokument mjaft i rëndësishëm. Ajo theksoi se në kohët e sotme është tepër i rëndësishëm bashkëpunimi i qytetarëve të thjeshtë me institucionet dhe agjencitë e sigurisë kombëtare. “Së pari; strategjia e sigurisë kombëtare ka nevojë për konsensus. Mirëkuptimi është jetik, është elemenet thelbësor që siguron suksesin e kësaj strategjie, e cila duhet të përfshijë gjithë udhëheqësit kryesorë. Së dyti; transparenca duhet të jetë tipari kryesor në procesin e rishikimit të strategjisë. Së treti; vlerat dhe interesat kombëtare duhet të mbizotërojnë në diskutimin e kësaj çështjeje dhe shqetësimet e opinionit publik” - tha zonja Jones.

Përfaqësuesit shtetërorë theksuan se mbi të gjitha strategjia e sigurisë kombëtare duhet të ketë edhe një plan zbatimi të thjeshtë dhe të kuptueshëm për ekspertët e antikrimit dhe sa më pranë shqetësimeve qytetarëve. Shqipëria ka disa vite që po përshtat ligjet e saj me ato të NATO-s ku është anëtare dhe me ligjet e Bashkimit Europian, ku po përpiqet të anëtarësohet. Kjo përshtatje e ligjeve me organizmat ndërkombëtare është një kriter i vazhdueshëm në rrugën e integrimit.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG