Lidhje

Shqipëri: Partitë e vogla sigurojnë mbështetjen e PS-së për modifikimin e sistemit zgjedhor


Në Shqipëri partitë e vogla të cilat paraqitën sot në formën e një dokumenti kërkesën e tyre për modifikimin e sistemit zgjedhore, siguruan mbështetjen e Partisë Socialiste dhe janë në pritje të firmosjes edhe nga Partia Demokratike

Një ditë më parë 24 parti të vogla të majta dhe të djathta e shtruan propozimin e tyre për të përfshirë një korrektim në nivel kombëtar, gjatë një tryeze në të cilën morën pjesë edhe dy forcat kryesore politike në vend.

Demokratët, të përfaqësuar nga bashkëkryetari i Komisionit parlamentar për reformën zgjedhore Ilir Rusmali, lanë një dritare shprese ndërsa deklaruan se ishin të gatshëm që në bashkëpunim me të gjitha palët ta shqyrtonin këtë mundësi. Në përfundim të takimit mes partive opozitare me kryetarin socialist Edi Rama, drejtuesi i Demokracisë sociale Paskal Milo u shpreh se tani pritet vetëm firma e partisë demokratike.

Zoti Milo tha se shpresonte se kjo parti nuk do të mbetej e izoluar përballë një kërkese që bëhet nga një numër i madh forcash politike, përfshirë edhe aleatët e shumicës.

Partitë e vogla vlerësojnë se sistemi aktual proporcional rajonal, cënon barazinë e votës dhe i penalizon ato duke favorizuar dy grupimet më të mëdha.

XS
SM
MD
LG