Lidhje

Shqiptarë e serbë kundër ndarjes së Kosovës

  • Leonat Shehu

Shqiptarë e serbë kundër ndarjes së Kosovës

Shqiptarë e serbë kundër ndarjes së Kosovës

Përfaqësues partish politike shqiptare dhe serbe në Kosovë, hodhën poshtë sot idenë e rihapur të ndarjes tokësore të Kosovës. Në një debat që u mbajt sot në Cagllavicë afër Prishtinës, ata thanë se idetë e tilla mund të kenë pasoja të rrezikshme jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin. Kjo ide u rihap këto ditë nga zëvendëskryeministri serb Ivica Dacic. Nënkryetari i Parlamentit të Kosovës Petar Miletiq, tha se ndarja është e pamundur dhe po që se do të ndodhte do të ishte shumë e dëmshme.

“Ndarja e Kosovës është zgjidhje e keqe në radhë të parë për serbët e Kosovës, dhe mendoj se kjo është e keqe edhe për serbët që jetojnë në jug por edhe ata që jetojnë në veri të lumit Ibër. Ne serbët çdo gjë që kemi e kemi në jug të lumit Ibër edhe në kuptimin shpirtëror, ekonomik por edhe të popullsisë”, tha zoti Miletiq.

Ndërkaq Rada Trajkoviç, deputete në Parlamentin e Kosovës nga radhët e Listës serbe, tha se kjo ide është e dëmshme edhe për vetë Serbinë kundruall faktorëve ndërkombëtarë.

“Mendoj se është e tmerrshme që me këtë projekt dhe me një nxitje të tillë publike ajo e karakterizon veten si faktor të destabilizimit të rajonit”, tha zonja Trajkovic, duke nënvizuar se në këtë mënyrë Serbia mund të humb edhe përkrahjen e vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq Momçillo Trajkoviq, kryetar i Lëvizjes Serbe të Rezistencës, tha se serbët në Kosovë duhet të pajtohen me rregullat e lojës, pavarësisht mospajtimit të tyre me pavarësinë e Kosovës.

“Ne nuk e pranojmë pavarësinë e Kosovës, por pajtohemi që të jetojmë këtu. Dhe ne duhet të respektojmë rregullat. Fakti që nuk më pëlqen shteti i pavarur i Kosovës, është çështje ime. Politikisht mund të vë në pikëpyetje, por nuk mund të marrë pushkën e të qëlloj pse nuk më pëlqen Kosova e pavarur”, tha zoti Trajkoviq.

Ai tha se kjo ide ishte hedhur edhe në vitet e 90-ta, kur ishte kundërshtuar edhe nga një pjesë e përfaqësuesve politikë të serbëve t Kosovës. Ndarja tha si nuk mund të kalojë vetëm me Kosovën.

Ndërkaq, deputeti Sadri Ferati, ish ministër i pushtetit lokal, tha se ndarja nuk është e mundur dhe nuk paraqet një qasje bashkëkohore, ndërsa tërhoqi vërejtjen se gjendja në veriun e Kosovës që lidhet me idenë e ndarjeve nuk do të vazhdojë të jetë e njëjtë për një kohë të gjatë.

“Durimi jonë që veriut ti japim më shumë kohë nuk do të thotë se janë shterur idetë dhe ambiciet tona ne veri. Prandaj edhe veriu do të siguroj kushte që qytetarët pa dallime të jetojnë sikur që kanë filluar të jetojnë mirë në vendet tjera”, tha zoti Ferati.

Po sot, qeveria e Kosovës, ka hapur në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, Qendrën për Shërbime të Qytetarëve, e cila do t’i ndihmojë një ekipi që tashmë është funksional, për krijimin e komunës së Mitrovicës së veriut. Kjo është pjesë e planeve për krijimin e komunës së re në atë pjesë të vendit të banuar me shumicë serbe ku nuk njihen institucionet e Prishtinës. Krijimi i komunës së re në veri është paraparë me planin e krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari në bazë të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG