Lidhje

Shtëpi për bashkëjetesë brezash


Ndërtuesit e shtëpive në Shtetet e Bashkuara po shohin një kërkesë në rritje për shtëpi që mund të strehojnë disa breza – nga prindër të moshuar deri në fëmijë të rritur, madje edhe nipër e mbesa. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee përgatiti materialin nga qyteti Irvine, i Kalifornisë, ku një lagje e re është ndërtuar për të përmbushur këto kërkesa.

Alicia Byassee erdhi për të parë shtëpinë e ëndrrave të saj. Por në vend të asaj, ajo gjeti një planimetri që do të mund ta ndihmonte nënën e saj të kujdesej për gjyshërit.

“Ajo udhëton me makinë mbi një orë çdo ditë për të ardhur dhe për t’i parë gjyshërit, ose për të ndenjur me ta. Do të ishte shumë më e lehtë nëse do të jetonin të gjithë bashkë.”

Ndërtime të reja gjithnjë e më shumë ofrojnë mjedise të veçanta brenda shtëpisë, që kanë një aneks, dhomë gjumi dhe banjo. E përkryer për ata që hyjnë në të 50-at ose 60-at, thotë sipërmarrësi pë ndërtime, Emile Haddad:

“Brezi i lindur pas Luftës së Dytë Botërore po arrin moshën ku një nga prindërit e tyre ndërron jetë, dhe ata duan që prindi tjetër të jetojë me ta dhe jo në një shtëpi të moshuarish.”

Një anketë e bërë nga firma ndërtuese PulteGroup tregon se një numër në rritje pronarësh shtëpish presin të kenë më shumë anëtarë familjeje të jetojnë me ta. Kristin Pasternak nga firma Pulte thotë se kjo përfshin prindërit e moshuar por edhe fëmijët e rritur.

“Duket se po fillon një ndryshim kulturor, për pikëpamjet rreth të jetuarit të disa brezave në të njëjtën shtëpi.”

Anketa tregon se shumë nga këto familje po planifikojnë ose të rinovojnë shtëpinë e tyre, ose të blejnë një shtëpi tjetër. Një prej tyre është Helen Artienda:

“Jam në kërkim të një tip shtëpie brenda një shtëpie në mënyrë që djali im të kthehet të jetojë me mua pasi të mbarojë shkollën meqë këto ditë ekonomia nuk është e mirë.”

Ekonomia është një nga arsyet kryesore pse po ndryshojnë mënyrat e të jetuarit, thotë profesori për arkitekturë dhe gjerondologji, Victor Regnier.

“Shumë gjëra ndodhën në 2008-ën. Vlera e shtëpive ra. Njerëzit humbën pasurinë e tyre, dhe unë mendoj se të imagjinuarit për një njësi jetese ku mund të ndahet në pjesë të ndryshme të jetuari është diçka që është shumë më e zakonshme sot se sa ka qenë në të kaluarën.”

Të dhënat nga censusi i fundit tregojnë se ka patur një rritje në numrin e familjeve me tre ose më shumë breza që jetojnë nën një çati. Një numër i madh i tyre janë me origjinë nga Amerika latine, afrikano-amerikanë, dhe aziatikë. Megjithatë, profesor Regnier thotë se kjo prirje po rritet për shkak të ekonomisë, dhe jo normave kulturore.

“Shumë vende të botës së tretë kanë jetuar në këtë mënyrë pjesërisht sepse nuk kishin të ardhura të mjaftueshme për të qenë në gjendje të blinin më shumë hapësirë, kështu që të gjithë jetojnë bashkë.”

Profesor Regnier thotë se Kina dhe India janë dy nga shembujt, megjithatë demografët presin që njerëzit në këto vende të fillojnë të jetojnë më vete ndërsa të ardhurat shtohen. Por në Shtetet e Bashkuara, thotë ai, ideja e një shtëpie brenda një shtëpie do të qëndrojë, sepse hapësira shtesë mund të shërbejë për qëllime të ndryshme dhe ia shton vlerën shtëpisë.
XS
SM
MD
LG