Lidhje

Shtëpia e Bardhë i përgjigjet Presidentit rus


Presidenti Barack Obama ka shpresë se bisedimet SHBA-Rusi do të sjellin një zgjidhje diplomatike për problemin e Sirisë dhe armëve të saj kimike. Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë i është përgjigjur komentit të Presidentit rus Vladimir Putin të botuar në gazetën The New York Times si dhe ka diskutuar ndihmat ushtarake amerikane për opozitën siriane.

Në hapje të një mbledhjeje të kabinetit, Presidenti Obama foli dje për bisedimet amerikano-ruse që po zhvillohen në Gjenevë:

"Kam shpresë se diskutimet që Sekretari Kerry zhvilloi me Ministrin e Jashtëm Lavrov si dhe me aktorë të tjerë në këtë temë mund të japin rezultate konkrete. Ai do të punojë me ngulm gjatë ditëve të ardhshme për të parë çfarë mundësish ka për zgjidhje”.

Zoti Obama nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për një tjetër temë: komentet e forta të Presidentit rus Vladimir Putin për Sirinë dhe një goditje të mundshme amerikane.

Zoti Putin tha se çdo goditje do të “rriste dhunën dhe do t’i hapte rrugën një vale të re terrorizmi” dhe mund të ndikojë negativisht në përpjekjet për të zgjidhur programin bërthamor iranian dhe procesin izraelito-palestinez të paqes.

Ai shtoi se ekziston çdo arsye për të besuar se luftëtarët e opozitës ishin personat përgjegjës për përdorimin e armëve kimike në Siri, në përpjekje për të mobilizuar një goditje ushtarake nga jashtë.

Udhëheqësi rus i bëri sfidë deklaratës së Presidentit Obama në fjalimin e së martës se megjithëse Amerika nuk mund të jetë polici i botës, ajo që e bën Amerikën një vend të “veçantë dhe të jashtëzakonshëm” është gatishmëria e saj për të vepruar kur bëhet fjalë për “rrezik të moderuar” për të mos lejuar që njerëzit të vriten me gaz helmues.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney e cilësoi si “ironi të madhe” faktin që Presidenti Putin po shfrytëzon një nga format e lirisë së shprehjes, të cilën e quajti si një “traditë tepër e veçantë amerikane” e cila po zbehet në Rusi.

"Fakti është se Rusia përfaqëson një kontrast të fortë që dëshmon përse Amerika është një vend i jashtëzakonshëm. Ndryshe nga Rusia, Shtetet e Bashkuara ngrihen në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të drejtave njerëzore në këtë vend dhe kudo në botë dhe ne besojmë se siguria globale forcohet kur fëmijët nuk vdesin nga gazi helmues që përdor një diktator”.

Zoti Carney tha se Presidenti Putin ka shfrytëzuar kredibilitetin e tij në nismën diplomatike për t’i vënë armët siriane nën kontroll ndërkombëtar dhe për t’i asgjesuar ato eventualisht.

Por ai shtoi se Rusia është “e izoluar dhe e vetme” në qëndrimin e saj për të fajësuar opozitën për sulmin e 21 gushtit pranë Damaskut. Zëdhënësi i Presidentit Obama iu përgjigj gjithashtu pyetjes lidhur me ndihmat ushtarake që premtoi administrata për kryengritësit sirianë. Zoti Carney iu përgjigj një deklarate nga Gjeneral Salim Idris, kreu i Ushtrisë së Sirisë së Lirë, i cili tha se kryengritësit ende po presin për armë dhe municione:

"Nuk mund të japim hollësi për çdo lloj ndihme që i japim opozitës apo të diskutojmë kohën e dërgimit. Por është e rëndësishme të vë në dukje se si opozita politike, ashtu edhe ajo ushtarake do të marrin ndihma”.

Opozita siriane i ka dënuar bisedimet që po zhvillohen në Gjenevë. Gjenerali Idris e cilësoi Presidentin rus “gënjeshtar e terrorist” për mbështetjen që i jep regjimit sirian.
XS
SM
MD
LG